Presidenti kuqezi kërkon kapitenin e Juves: Di që i skadon kontrata, ndoshta e mbyll karrierën tek ne
Që Silvio Berluskoni është një njeri surprizash, sidomos në fushatë merkatoje, kjo dihet dhe mjafton të kujtohen dy blerjet e mëdha në ditët e fundit të gushtit, kur tek Milani erdhën, respektivisht Ibrahimoviç nga Barcelona dhe Robinjo nga Mançester Siti. Por që të vazhdojë sërish me “goditje”, si me fjalë, ashtu edhe në vepra, veçanërisht gjatë sezonit që ka nisur prej më shumë se dy muajsh, është një lajm.
Po, sepse padroni i “Djallit” dhe Kryeministri i Italisë tenton të sjellë Alesandro Del Pieron te Milani. Deklaratën e pazakontë, numri një kuqezi e paska bërë gjatë një bisede me disa eksponentë politikë të PDL-së, të cilëve u paska rrëfyer që po punon për “një bjerje të madhe në merkaton e janarit”. “Të shtunën në mbrëmje, - ka shpjeguar Berluskoni, -luajtëm mirë kundër Juventusit, por sa keq që humbëm.
Megjithatë Juvja është një skuadër e madhe dhe para së gjithash ka një futbollist të madh. Shkova në dhomat e zhveshjes për t’i përgëzuar të gjithë, para të gjithëve Del Pieron. I thashë se isha në dijeni që i skadonte kontrata (qershor 2011-të) dhe atëherë i thashë që të vijë tek Milani… Del Piero është një kampion i jashtëzakonshëm, ndoshta mund ta mbyllë karrierën me ne”, - janë fjalët e Berluskonit.
Një ftesë dhe një besim i madh te aftësitë e kampionit 35-vjeçar, i cili me golin ndaj Milanit në “San Siro”, shkoi në kuotën e 179 golave, duke thyer rekordin e legjendës tjetër bardhezi Boniperti, me 178, duke u bërë kështu golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me fanellën bardhezi në historinë e klubit. Dhe në të vërtet shifrat e Aleksit flasin për një kampion të vërtetë.
Ky, është kampionati i 18-të radhazi me Juventusin, duke luajtur deri tani 648 ndeshje me “Zonjën”, 430 nga të cilat në Serinë A: vetëm Boniperti ka luajtur më shumë (443). Një tjetër rekord për t’u thyer dhe koha i mjafton deri në fund të sezonit. “Pinturikioja” ka fituar 14 trofe me Juven: 5 kampionate; 1 Kupë Italie; 4 Superkupa Lige; 1 Champions; 1 Superkupë Europiane; 1 Kupë Interkontinentale; 1 Intertoto.
Shifra prej gjiganti që e kanë joshur pa dyshim Silvio Berluskonin të synojë te juventini me një ofertë të hapur dhe publike. Mbetet vetëm për t’u parë dëshira e sulmuesit, i cili ka dhënë sinjale lamtumire prej kohësh nga Juvja nëse nuk do t’i rinovohet kontrata. Bëhet fjalë për një idhull të tifozerisë, për një simbol të klubit, për një kapiten shembullor. Mosha e tij nuk është një problem, pasi Milani është i dashuruar me lojtarë që i kanë kaluar të 30-at, madje kanë shkuar edhe më tej, si rasti i ish-kapitenit Maldini, që e mbylli karrierën 40 vjeç.