Sikur të mos mjaftonte mungesa e Krasiçit si pasojë e skualifikimit, mbrëmja evropiane ka sjellë lajme të këqija, të tmerrshme për trajnerin e Juventusit, Luixhi Del Neri.
Në ndeshjen kundër Çezenës, tekniku bardhezi duhet të bëjë me një mbrojtje të gjymtuar, pas mungesave të Xhorxho Kielinit dhe Nikola Legrotalies. Në këto kushte, në përballjen e së dielës Mota do të bëjë mbrojtësin e djathtë, ndërsa Bonuçi në qendër së bashku me të riun Sorensen. Groso do të luajë në krahun e majtë. Situatë për të vënë duart në kokë, duke parë që ky i fundit e ka të parën ndeshje në këtë sezon, ndërkohë që 17 vitet e danezit Sorensen nuk japin asnjë siguri.
Ndërkaq, Luixhi Del Neri është në pritje të lajmeve nga Millosh Krasiç. I pezulluar në kampionat, mesfushori serb pësoi një dëmtim në sfidën e barazuar pa gola kundër Red Bull Salsburgut të enjten mbrëma në Ligën e Evropës. Nga të dhënat e para mësohet se dëmtimi nuk është shumë i rëndë për Krasiçin, por në shtëpinë bardhezi askush nuk vë dorën në zjarr deri në daljen e rezultateve përfundimtare.