
"Po punojmë drejt Scudettos. Sa i përket mentalitetit jemi të barabartë me të gjitha skuadrat. Fitorja e fundit ka sjellë shumë entuziazëm brenda klubit dhe synimet tona janë rritur pasi këtë e meritojnë tifozët tanë", ka deklaruar Del Neri. "Të themi se jemi në rrugën e duhur për titullin e kampionit, nuk gabojmë. Ka shumë punë për t'u bërë deri në fund të edicionit, por futbollistët po e dëshmojnë veten gjithnjë e më shumë".
Për Del Nerin ky është një edicion shumë i fortë dhe sipas tij tash për tash skuadra e Lazios po gëzon formën më të mirë. Lazio ka tubuar 22 pikë, duke lënë pas vetes Interin (18) dhe Milanin (17).
"Është një edicion shumë interesant. Lazio padyshim është ekip në formën më të mirë dhe ka bërë një start fantastik, që pothuajse askush nuk e ka besuar", tha Del Neri. "Ngjashëm si ne, Lazio po ndërtohet brenda grupit. Me një fjalë, Lazio dhe Juve po mundohen të lënë gjurmët e tyre këtë edicion".
Ndërkohë problemet në mbrojtje Del Neri ka thënë se do t'i zgjidhë me mesfushorin ofensiv Simone Pepe, të cilin e ka ndërmend ta transformojë në mbrojtës krahu për të kompensuar mungesat e të lënduarve.