Më në fund Luixhi Del Nerit mund t’i rikthehet buzëqeshja, pas situatës së vështirë me dëmtimet gjatë ditëve të fundit. Kielini, Amauri dhe Traore’ kanë lënë pas dëmtimin.
Pas rikthimit të Iakuintës dhe Lanzafames në stol kundër Çezenës, Kielini, Amauri dhe Traore’ zhvilluan sot minindeshjen stërvitore për të parën herë pas dëmtimeve. Kielini ka lënë pas problemin në pulpë, sot punoi me topin dhe bëri manovra në drejtime të ndryshme. Duket plotësisht i riaftësuar dhe me shumë mundësi do të jetë i grumbulluar për transfertën me Breshian. Nuk dihet ende nëse do të jetë në fushë nga minuta e parë.
Edhe Amauri e ka kaluar gjendjen gripale dhe në përballjen e së mërkurës do të jetë i grumbulluar. Ndërkaq, kontrolli i fundit mjekësor ka konfirmuar shërimin e plotë të mbrojtësit Traore’, i cili vuante nga një problem muskulor në kofshën e majtë. Rikthimi i francezit është parashikuar për sfidën me Romën në fundjavë.
Por lajmet e mira për Del Nerin nuk përfundojnë me kaq. Pas zëvendësimin në takimin me Çezenën, pati frikë për një dëmtim të rëndë për Felipe Melon. Por kontrollet e sotme nuk kanë vënë në dukje asnjë tërheqje muskulore në kofshën e djathtë. Për të mos rrezikuar, braziliani do ta humbasë sfidën me Breshian, për të qenë plotësisht gati në superpërballjen me Romën.
Rikthimi i Grosos dhe Salihamixhiçit i ka dhënë pak frymëmarrje krahëve të skuadrës. Sa i përket të dëmtuarve të tjerë, situata është e tillë: Bufoni dhe Rinaudo rikthehen në janar, De Çelje pas tre muajsh, Martinez dy muaj e gjysmë, pas më pak se një muaji Del Neri do të ketë gati Krasiçin, kurse më herët Maningerin dhe Grigerën. Brenda 40 ditësh pritet rikthimi në fushë i Legrotaljes.