Drejtuesit vendosin të marrin masa pas emergjencës së fundit. Groso gati të ribashkohet me grupin
Fraktura për De Çeljen dhe Martinezin, të paktën 3 muaj të ndalur. Transferta e “San Siros” i ka dhuruar tri pikë të çmuara Juventusit, por fatkeqësisht ka shtuar numrin e lojtarëve të dëmtuar. Shumë të rënda dëmtimet e De Çeljes dhe Martinezit, të dy kanë dalë nga fusha para kohe në ndeshjen kundër kuqezinjve. Mbrojtësi ka dëmtuar gjurin dhe do të qëndrojë jashtë për 3 muaj, uruguajani ka dëmtuar këmbën e majtë dhe do të rikthehet në 2011-ën.
Për Kielinin, një kontrakturë e lehtë në pulpë që do ta detyrojë të mungojë vetëm në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Salzburgut, ndërsa Maninger do të kthehet në fushë pas një muaji për shkak të një ndrydhjeje të kaviljes së djathtë. Këta 4 të dëmtuar i janë shtuar listës së gjatë që përbëhet nga Bufon, Grigera, Rinaudo, Traore, Lanxafame dhe Iakuinta, plus Akuilanin dhe Kualjarelën, që janë në formë të mirë, por që nuk mund të luajnë në Ligën e Europës.
Klubi bardhezi po mendon seriozisht për të rikthyer në skuadër Fabio Groson dhe Hasan Salihamixhiçin, edhe pse për ndeshjen e së enjtes në Ligën e Europës do t’u besohet lojtarëve të ekipit të të rinjve. Për mbrojtësin e ri të qendrës Ferrero mund të jetë edhe mundësia për të qenë titullar kundër austriakëve. Por, është e qartë se në janar drejtori i përgjithshëm i Juves, Bepe Marota, do të ndërhyjë në merkato.
Për pozicionin e mbrojtësit të djathtë, pëlqehen anglezi Glen Xhonson dhe italiani Zakardo, ndërsa për krahun e majtë vazhdon të jetë në krye të listës emri i spanjollit, kampion bote, Joan Kapdevila. Për të gjetur një alternativë të mirë për Bonuçin dhe Kielinin mendohet për Fabio Santakroçen e Napolit dhe Serdar Tashin e Shtutgartit, ndërsa në radhët e Shalke 04 është bërë më shumë se një sondazh për dy lojtarët e rinj, Kiriakos Papadopulos dhe Joel Job Matip.