Trajneri i Juventusit i ka bërë të qarta objektivat e klubit pas fitores kundër Milanit
Nga humbja me Barin te triumfi me Milanin, Juventusi ka rigjetur moralin dhe ambiciet. “Titulli në kampionat? Jemi duke punuar për këtë. Në mentalitet jemi të barabartë me të gjithë”, ka thënë Xhixhi Del Neri. Por ekziston problemi i të dëtmuarve: “Pepe si mbrojtës i krahut të majtë është një zgjidhje e përkohshme. Kemi lojtarë të ekipit të të rinjve, që duhen provuar”. Në lidhje me titujt dhe “Calciopoli”-n:
“Nëse gjyqi do të nxjerrë disa rezultate të caktuara klubi do të kërkojë rikthimin e titujve dhe më duket e drejtë. Presidenti është një njeri shumë i kujdesshëm dhe koherent dhe vepron gjithmonë në të mirë të klubit dhe tifozëve”, ka saktësuar ai. Por, Del Neri, ka preferuar të përqendrohet te e tashmja: “Në klub ka një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar dhe për t’i dhënë shumë futbollit italian, për tifozët, për të gjithë, sepse e meritojnë. Le të themi se jemi në rrugën e duhur, ka shumë punë për të bërë, por lojtarët janë të aftë”.
Duke filluar nga kapiten Del Piero. “Unë kam një dialog me të gjithë dhe me Del Pieron flas shpesh, sepse ai ka më shumë eksperiencë se të tjerët”, ka nënvizuar Del Neri. Sigurisht, tani lojtarët që nuk janë në dispozicion janë po aq sa ata që mund të luajnë dhe është kthyer fantazma e dëmtimeve: “Dëmtimet kanë lidhje me kontakte fizike gjatë lojës, ky është futbolli i sotëm, kemi qenë të pafat. Në situatën e vështirë që ndodhemi kemi për detyrë që të gjejmë zgjidhje”.
Seria A, pas nëntë javëve, shikon Lacion në vendin e parë me katër pikë avantazh nga Interi: “Analogji midis bardhekaltërve dhe Juves? Eshtë një kampionat interesant, Lacio është sigurisht skuadra më në formë, ka bërë një nisje shumë të mirë në këtë sezon që nuk është shumë i parashikueshëm. Në lidhje me ngjashmëritë që kanë me ne, është përmirësimi i grupit: Lacio dhe Juventusi kërkojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Për Lacion është një sukses i papritur, por i merituar”. E pamundur të mos flitet për Kasanon, një lojtar që Del Neri e njeh shumë mirë për shkak se ka punuar me të te Sampdoria dhe te Roma. “Nëse ekziston një mundësi për të rregullar marrëdhëniet midis Sampit dhe Kasanos, duhet shfrytëzuar. Si lojtar, Antonio nuk diskutohet.
Eshtë një trashëgimi teknike dhe duhet mbrojtur. Unë, në aventurën time te Sampdoria, kam gjetur një lojtar pak të çuditshëm dhe jo të qetë, por në muajt e fundit marrëdhënia jonë është përmirësuar dhe kjo nuk do të thotë se do të vijë te Juventusi”, ka thënë Del Neri. Tifozëve që i kanë kërkuar trajnerit bardhezi të çojë në Torino titullin dhe Kasanon, u është përgjigjur: “Janë dy gjëra të komplikuara…”.