10 nëntor 2010

Del Neri: Breshia më e vështirë sesa Roma!

Trajneri bardhezi rigjen Kielinin, por s’do të ketë të gatshëm Amaurin, Melon e Traoren

Emergjenca në shtëpinë e Juventusit mbetet e tillë edhe në Breshia, por Xhixhi Del Neri kërkon që bardhezinjtë të përqendrohen eksluzivisht te ndeshja me “Dallëndyshkat”. “Nuk bëj vlerësime në prag të ndeshjes me Romën. Sfidën me Breshian e cilësojmë të rëndësishme, për të mos thënë më shumë. Duhet të mendojmë për këtë ndeshje, - tha trajneri bardhezi. - Del Piero mbushi 36 vjeç? Do të vazhdojë të shfaqë atë karakter që e ka shoqëruar gjithnjë në karrierë, është një pikë referimi.

Unë mendoj se ndryshimin e bën vetëm Juventusi. Jam shumë i kënaqur, e uroj. Nuk kisha dyshime mbi energjinë e tij dhe entuziazmin që përcjell në fushë”. Del Neri do të ketë të gatshëm sot në “Rigamonti” Kielinin, ndërsa do të lërë në shtëpi Amaurinë, Felipe Melon e Traoren:

“E bëjmë këtë për t’i pasur sa më në formë për të shtunën ndaj Romës, - tregon trajneri bardhezi, është e kotë t’i rrezikojmë”.Në një organikë të minuar nga dëmtimet, janë zbuluar “ripeshkime” të rëndësishme: “Groso ndaj Çezenës bëri një paraqitje, që meriton respekt dhe Salihamixhiç kur hyri tregoi se vazhdon të mbetet i rëndësishëm”.

Pastaj mbron Amaurin e Kualjarelën: “Amauri është kritikuar dhe unë nuk dua që lojtarët e mi të vihen në shënjestër, - shpjegon Del Neri. - Ndërsa Fabio ka gjetur mjedisin e duhur për karakteristikat e tij, sapo ka rigjetur gjendjen fizike optimale, ka filluar të tregojë cilësitë e tij teknike. Kualjarela e ka sakrificën në ADN-në e tij, punon për skuadrën dhe shënon gola”.

Më pas Del Neri kthehet të flasë për ndeshjen kundër Breshias: “Duhet të marrim në shtëpi pikë të rëndësishme, ndoshta duke vuajtur siç bëmë të dielën. Nuk e shikoja renditjen në fillim dhe nuk e shikoj as tani. Ne duhet të jemi shumë të ekuilibruar në gjithçka që bëjmë. Nuk ka ndryshuar asgjë nga paraqitja jonë, duhet të përmirësohemi akoma”.