Mungesave të shumta, u shtohen edhe Krasiç e Legrotalje. Trajneri mbyll çështjen “Bufon”
Mungesa e Bufonit për foton me skuadrën ka shkaktuar një stuhi të vogël në shtëpinë e Juventusit, por nga ana tjetër edhe Xhixhi Del Neri nuk e ka vlerësuar shumë këtë gjest. “Mund të paraqitej për ta bërë foton, - tha trajneri i Juventusit, duke iu referuar portierit që po riaftësohet pas operacionit në hernien diskale. -Por nuk është se e bëri një gjë të tillë për të ftohur marrëdhëniet me Juventusin. Ndoshta nuk e ka kuptuar se sa shumë na mungon. Por të mos krijojmë një çështje. Emergjenca në Çezenë?
Duhet të shpalosim karakterin në këtë moment të vështirë dhe tifozët të na qëndrojnë pranë dhe të na ndihmojnë. Do të luajmë kundër një skuadre që ka luftuar gjithnjë në fushë dhe ka humbur shumë herë në minutat e fundit. Një skuadër e vendosur shumë mirë, shumë solide dhe që ka futbollistë interesantë”. Për sa i përket formacionit, Del Neri e nis nga reparti i sulmit: “Amauri? Është pak më mirë, por gjithsesi kemi Kualjarelën e Iakuintën. Vinçencoja nuk mund të luajë që nga fillimi, por do të jetë i gatshëm”.
Mbi mundësinë për të aktivizuar Groson në krah, Del Neri u përgjigj me një batutë: “Duke parë lojtarët e grumbulluar dhe mungesst e shumta, nuk është se duhet Ajnshtajni për të kuptuar se cili do të luajë. Sorensen apo Kamilieri në mbrojtje? Një lojtar nuk mund të luajë pa luajtur katër muaj dhe pastaj të zbresë në fushë që nga minuta e parë (Kamilieri), këtë e di edhe mbesa ime Xhulia, - vazhdon Del Neri. - Sorensen është një lojtar i shkëlqyer, po luan mirë me skuadrën e të rinjve dhe mendoj se mund të na ndihmojë në këto momente”. Megjithatë çështja e dëmtimeve është serioze. “Nuk do ta kemi as Krasiçin për 25 ditë dhe Legrotaljen për pak më shumë, - analizon tekniku bardhezi.
- Duket sikur gjithçka shkon kundër nesh, edhe pse në këto momente kemi nevojë për energji dhe duhet të luajmë sfida të rëndësishme si në mesjavë në Breshia ashtu edhe në fundjavën që vjen kundër Romës. Jemi të pafat, sepse kemi të paktën dhjetë lojtarë të dëmtuar për traumë. Në fillim kishim probleme përshtatjeje siç është normale kur ndryshon siç bëri Juvja, por më pas ia dolëm. Tani kemi humbur disa lojtarë, por duam t’i riaftësojmë mirë pa rrezikuar dëmtime të reja”.
Rafa Benitez ka nënvizuar se Interi merkato praktikisht nuk ka bërë dhe për këtë priten përforcime në janar. Emri në krye të listës është ai i Ibrahim Afelait, talent i PSV Eindhovenit, të cilit i skadon kontrata në qershor. Klubi ka njoftuar që sulmuesi anësor do të shitet dhe zikaltrit janë në “pole position”. Edhe Shnejderi e sponsorizon ardhjen e Afelait.
Lacio që fluturon nuk kërkon të gjëndet e papërgatitur për merkaton e janarit, para së gjithash, sepse ka nevojë të përforcojë repartin e mbrojtjes. Për këtë, sipas shtypit italian, drejtori sportiv Igli Tare rikthen në vëmendje një emër që e kërkonte edhe në verë: Fernando Meirën, qendërmbrojtësin 32-vjeçar portugez që luan në Rusi te Zeniti i Spaletit.
Xhixhi Bufon zbulon misterin e mungesës në foton e skuadrës, duke shuar çdo dyshim për një lamtumirë: “Nuk isha, sepse kisha parashikuar një test shumë delikat për këmbën time pas operacionit. Pastaj shkova të tërheq një çmim në Zvicër si portieri më i mirë i Botës. Nuk kam nënvlerësuar asnjë, kisha premtuar praninë time muaj më parë. Nuk ka asnjë mister”.
Në janar do të përpiqem t’i jap trajnerit elementë me përvojë e cilësorë. Do të ketë tri blerje të rëndësishme”. Kështu shprehet presidenti i Palermos, Mauricio Zamparini, që manifeston simpatinë e tij për Kasanon: “Thashë që do ta merrja, siç do të ishte gati Garrone të merrte Pastoren. Kasano është teknikisht i zoti, por i vështirë në karakter, ndaj e lëmë te Sampi”.