Situata e dëmtimeve në shtëpinë bardhezi sa vjen e bëhet më dramatike.
Sikur të mos mjaftonte fakti që e gjithë mbrojtja ndodhet në infermieri, problemet për Juventusin shfaqen edhe në repartin e avancuar. Lajmi i fundit negativ për Del Nerin vjen nga Millosh Krasiç: serbi do të qëndrojë jashtë fushe të paktën 25 ditë.
26-vjeçari pësoi një dëmtim në sfidën e barazuar pa gola ndaj Red Bull Salsburgut të enjten mbrëma, ashtu si mbrojtësi Nikola Legrotalje. Kontrollet e fundit mjekësore të zhvilluara sot paradite kanë nxjerrë në pah një tërheqje të shkallës së parë në kofshën e djathtë për Krasiçin, kurse për mbrojtësin italian situata është paksa më e rëndë: duhet të qëndrojë larg fushës rreth 45 ditë.