Portieri bardhezi ka mohuar një largim të tij të mundshëm nga bardhezinjtë në janar
Mungesa e Bufonit për fotografinë zyrtare të Juventusit i ka alarmuar të gjithë, teksa është menduar edhe për një lamtumirë të mundshme. Por portieri i Italisë ka dashur të sqarojë situatën dhe i ka mohuar edhe një herë këto zëra. “Gjithçka po shkon sipas programit, - ka shpjeguar. - Do të kthehem në kohën e paracaktuar, domethënë në janar. Si jetohet sezoni duke qëndruar jashtë? Vuajtjet janë më të mëdha, nuk ka dyshim.
Nuk jam mësuar, por janë gjëra që bëjnë pjesë në jetën e një sportisti. Po lind një skuadër e fortë, gjërat po përmirësohen nga dita në ditë dhe rruga është ajo e duhura. Po luajnë të gjithë mirë dhe jam shumë i lumtur për rilindjen e Felipe Melos. Zërat në lidhje me lamtumirën time? Jam mësuar me këto gjëra, u bënë gjashtë vjet që flitet për Mançester Junajtid, por nuk më duket se ka ndodhur ndonjë gjë”, ka thënë Bufon.
Nga ana tjetër Juventusi ka provuar të shmangë një “çështje” Bufon nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm Xhiuzepe Marota. “Xhixhi, - ka shpjeguar ai, - aktualisht po punon për të rekuperuar formën fizike. Eshtë një portier i Juves, ka treguar në të kaluarën se është shumë i lidhur me këtë klub. Duhet ta lëmë të qetë të punojë me qetësi. Ka bërë një operacion shumë delikat dhe për këtë arsye terapia e rekuperimit duhet të jetë e gjatë dhe e kujdesshme.
Gjithsesi, nuk ekziston asnjë çështje Bufon. Juventusi nuk ka asnjë kritikë për t’i bërë atij dhe e presim me padurim rikthimin e tij”. Ditë më parë u duk se kishte ardhur në fund aventura e Xhixhi Bufonit me Juventusin. Portieri bardhezi, që ka munguar me rastin e fotografisë zyrtare të skuadrës për të marrë një çmim, duket se është befasuar nga deklaratat e dhëna në konferencë për shtyp nga ana e trajnerit Xhixhi Del Neri.
Tekniku i Juves praktikisht nuk e ka takuar asnjëherë portierin e parë të “Zonjës së Vjetër” që kur ka marrë drejtimin e bardhezinjve: “Pse në muajt e fundit nuk është dukur asnjëherë? Duhet pyetur ai për këtë. Ndoshta mund të ishte paraqitur ndonjëherë. Shpresojmë të na ndihmojë në këtë moment shumë delikat për shkak të dëmtimeve të shumta. Kam folur në telefon, po rekuperon”, kanë qenë fjalët e Del Nerit.
Para deklaratave të portierit, ka folur menaxheri, Silvano Martina: “Xhixhi është një nga njerëzit më pozitivë që ekzistojnë dhe jo vetëm në botën e futbollit. Bufon po rekuperon nga një dëmtim shumë serioz, po punon 5-6 orë në ditë, gjithçka po shkon mirë. Më duket e çuditshme e gjithë kjo sepse duke parë që ai jeton në Torino dikush nga klubi mund t’i kishte bërë një vizitë për të parë gjendjen e tij…”. Ndërkohë, në bazë të shtypit anglez Mançester Siti duket se e ka kaluar Junajtid në garën për të siguruar portierin e Juves.