Fantazisti barez, pasi i ka kërkuar edhe një herë falje Garrones, kërkon paqe me presidentin
“I pranoj përgjegjësitë e mia, por dua të qëndroj te Sampdoria”. Antonio Kasano është kthyer të flasë për ngjarjen në të cilën ka qenë protagonist, me klubin bardheblu që ka kërkuar prishjen e kontratës. Antonio ka ofenduar rëndë presidentin e Sampdorias, Garronen. “Ka patur një diskutim dhe unë kam përdorur një ton të gabuar.
I kërkoj falje para të gjithë Italisë”. Më pas, Kasano ka saktësuar: “Nuk i kam thënë në asnjë koment plak m…”, dhe ka shpjeguar se e ardhmja e tij është vetëm në Gjenovë: “Dua të qëndroj te Sampi, e kam thënë, e them dhe do ta them gjithmonë. Dua të qëndroj dhe ta mbyll karrierën time me fanellën bardheblu.
Më shumë se të kërkoj të falur, - ka theksuar edhe një herë fantazisti barez, - nuk di çfarë të bëj. Megjithatë po trajtohem si të isha një terrorist. Më vjen keq që kam vënë në vështirësi shokët e skuadrës, që janë treguar të aftë duke marrë një fitore të rëndësishme kundër Çezenës”.
“Një ditë pas atij episodi, - ka vazhduar Kasano, - jam sqaruar në telefon me presidentin dhe më ka thënë se duhej të kërkoja falje para gjithë skuadrës. E kam bërë të enjten, më pas kanë nxjerrë një letër që duhej ta firmosja dhe unë nuk dua të firmos asgjë.
Më shumë se të kërkoj falje nuk di çfarë duhet të bëj, po më trajtojnë si të isha një terrorist: tre vitet e fundit nuk kam bërë asnjë gabim dhe sapo ndodh ndonjë gjë e paparashikuar më trajtojnë si një kriminel”. Dhe akoma: “Nuk janë të gjitha të vërteta ato që janë lexuar në gazeta: nuk i kam thënë kurrë presidentit ‘plak m…’.
Nuk do t’ia lejoja kurrsesi vetes. Kjo është e vetmja gjë që më ka zemëruar, por nuk është ky momenti për të mbrojtur imazhin tim, këtë do ta bëjë avokati im në vendet e duhura. Në këto katër vite kam bërë gjëra fantastike, askush nuk mund të thotë të kundërtën dhe kam patur gjithmonë një qëndrim të mirë me përjashtim të ndonjë gabimi që mund ta bëjnë të gjithë. Por i kam dhënë shumë Sampdorias”, ka thënë Kasano.
Garrone nuk ka ndër mend ta falë
Fjalët e Antonio Kasanos të thëna gjatë një interviste në një emision televiziv italian, duket se nuk i kanë pëlqyer presidentit të Sampdorias, Rikardo Garrone. Kështu, faljet e radhës të kërkuara nga sulmuesi nuk kanë shërbyer për të afruar presidentin me fantazistin e skuadrës së tij.
“Ka parë intervistën - dhe më pas, miqve u ka thënë: Faji është i Kasanos, unë mendoja se kishte ndryshuar. Kam gabuar në vlerësimin e tij”, ka bërë të ditur një burim afër presidentit të Sampit.