Firence (Itali)- Vazhdimësi. Kjo është fjala magjike që duhet të përdoret për Alberto Akuilanin: "Jam kthyer në Itali për të pasur vazhdimësi, shprehet ai dhe falë vazhdimësisë në impenjime dhe rendimentit të lartë kam arritur të rikthehem në skuadrën kombëtare italiane. Çfarë pres nga e ardhmja? Të luajë përsëri me vazhdimësi".
Rikthimi
Paraqitja e tij e fundit në skuadrën kombëtare (10 shkurt 2009, Itali-Brazil 0-2) është larg pothuajse për dy vite. "Më pas, kam pësuar një kalvar të gjatë dëmtimesh, por tashmë jam shumë mirë dhe dëshiroj të vazhdoj në këtë rrugë. Më kanë dhënë shumë kënaqësi fjalët pozitive që ka shprehur për mua trajneri Prandeli, besimi i trajnerit është shumë i rëndësishëm. Tashmë dëshiroj të tregoj se e meritoj këtë pozicion, duke dhënë më të mirën në fushën e lojës". Më pas, Akuilani flet për pozicionin e tij ideal. "Të luajmë me dy mesfushorë në qendër ose në formë rombi siç do të luajmë kundër Rumanisë është shumë e ndryshme. Gjithsesi, duhet të them se gjendem shumë mirë me të dy modulet. Baloteli? Më duket një djalë simpatik, por nuk mund ta gjykoj. Praktikisht e kam njohur vetëm sot". Në fund, një batutë edhe për shokët e skuadrës që luajnë me Lacion, Ledesma dhe Mauri. "Është e vërtetë, janë dy lacialë, por në skuadrën kombëtare një situatë e tillë është normale: dhe jam shumë i lumtur, që kam mundësi të luaj me ta".
Juventusi/"Del Neri më ka dhënë një ndihmë të madhe"
"Del Neri më ka dhënë një ndihmë të madhe, duke ndjerë besimin e tij çdo moment. Ku mund të mbërrijë Juventusi? Juventusi duhet të qëndrojë gjithmonë në majat e klasifikimit për emrin që ka, por, ndërkohë nuk duhet të harrojmë që jemi një skuadër në ndërtim e sipër. Skuadra të tjera si Milani për shembull kanë diçka më shumë përsa i përket emrave që kanë në përbërje. Milani, ndërkohë i kemi treguar që me zemër, me vullnet dhe përqendrim maksimal mund të kalojmë këtë diferencë që ekziston. Dhe ne këto gjëra i kemi brenda mendjes tonë dhe japim gjithmonë maksimumin".
Kampionati dhe Roma
"Interi ishte logjike që duhet të humbiste diçka në planin e pikëve dhe gjendjes fizike, kishte shkuar shumë mirë çdo gjë sezonin e shkuar. Por, është ende një skuadër e madhe, kampionati është shumë i gjatë dhe do të kthehen shpejt në majat e klasifikimit. Roma? Duke parë emrat është në të njëjtin nivel me ne, bën pjesë në ato 4-5 skuadra që luftojnë për kryesimin e klasifikimit. Të luaja kundër tyre ka qenë një ndeshje delikate nga pikëpamje emocionale. Ka shkuar gjithçka mirë dhe jam shumë i kënaqur për këtë fakt", ka përfunduar komentin e tij Alberto Akuilani. Pastaj, një shikim për të ardhmen: "Nuk e konsideroj skuadrën bardhezi një etapë kalimtare, këtu jam i huazuar me të drejtë blerjeje përfundimtare për një shumë në nivelin e 15-16 milionëve, duhet të vendosin ata, por di që do të varet edhe nga unë. Nëse dëshirojnë të më blejnë përfundimisht, unë do të qëndroja me shumë dëshirë".