07 gusht 2010

“Gol me polemika? Jam vetëm i lumtur”

Kapiteni bardhezi Aleks Del Piero shijon golin e shënuar ndaj Shamrok Roversit në Ligën e Europës

Rrebeshi i Modenës bind Del Nerin për stafetën Diego-Del Piero. Një pjesë për secilin. Diego “sorollatet” në 45 minutat e para, ndërsa “Pinturikio” shpik një nga goditjet e tij të dënimit. Del Neri rri e vëzhgon, shokët e rrethojnë kapitenin e tyre, sikur presioni i mungesës së tij në fushë ishte ndarë nga të gjithë. E rëndësishme ishte të kalohej turi, por jo vetëm, siç tregojnë dhe fjalët e trajnerit: “Diego e kishte të vështirë të luante në atë fushë të rënduar nga shiu. Kjo e lodhi shumë, ndryshe do të vazhdonte dhe në pjesën e dytë. Del Piero? Është një profesionist i madh dhe e tregoi. Më vjen keq për Trezegenë, e meritonte të luante disa minuta. Dualizëm? Jo, s’ka dualizma.

Të gjithë luajnë për Juven.” Del Piero largohet nga fusha duke buzëqeshur: “Gol polemik? Jo, jam i lumtur që shënova dhe që skuadra fitoi. Në këto momente të gjithë po mendojmë të përmirësohemi individualisht dhe si skuadër. Më pas do t’i takojë trajnerit të bëjë zgjedhjet e tij në autonomi të plotë.” Në pjesën e parë, mbajti nervat e qeta, emocionet e mbajtura brenda, inatin e fshehur pas ndonjë buzëqeshjeje të rastit. Kjo ishte ajo që i dha “Pinturikio” telekamerave nga qëndrimi i tij në stol.

Mospërfshirja e dytë radhazi në formacion bëri xhiron e botës së internetit më përpara se vetë Dalukas të sinjalizonte fillimin e takimit. Oshëtinin tifozët në stadium: “Një kapiten, ka vetëm një kapiten.” Ai meditonte për hakmarrjen sapo të zbriste në fushë. Me shpresën që ajo që tha për Ferrarën, në fillim të sezonit, të mos vlejë dhe për Del Nerin. “Nuk i kam kërkuar asnjë trajneri të luaj gjithnjë. E vetmja gjë që kërkoj është ta nis sezonin si i barabartë me të tjerët, pa u paragjykuar për moshën time. Dualizëm me Diegon? Sinqerisht, nuk më shqetësojnë këto zëra. Sezoni sapo ka filluar.”