24 janar 2011

Zyrtare: Valon Behrami te Fiorentina

Kanë përfunduar me sukses bisedimet mes Fiorentinës dhe Uest Hemit për transferimin e mesfushorit Valon Behrami në Firence.

Lajmin e ka konfirmuar pasditen e sotme klubi italian përmes një njoftimi zyrtar në faqen e internetit, ndërkohë që mediat raportojnë se në arkat e Uest Hemit do të shkojnë diçka më pak se pesë milionë euro.

Futbollisti ka nënshkruar deri në vitin 2014 dhe do të përfitojë rreth një milion euro në sezon.

Pas portierit Neto, mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane është përforcimi i dytë për skuadrën e Mihajloviçit në këtë merkato.

Sa i përket lëvizjeve të tjera në kampin vjollcë, është pothuajse i sigurt largimi i mesfushorit Kristiano Zaneti te Breshia.