17 janar 2011

Serie A - Lece ndalon Milanin, Juve, Roma, Lacio “OK”

Juventusi mundi Barin 2-1 dhe rigjen fitoren në kampionat pas dy humbjesh radhazi. Bardhezinjtë kaluan në avantazh falë një magjie të kapiten Del Pieros, që thyen portierin Zhile me një goditje dënimi. Në minutën e 57-të vjen barazimi i miqve me Rudolf, që ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë një pasim të Alvarez, duke realizuar.

Por në të 79-ën bardhezinjtë shënojnë golin e fitores me Akuilanin. Ndërkohë, në “Manuci” u zhvillua një ndeshje shumë e bukur. Romambi mbizotëruar, ndërsa Çezena mbrohet dhe kundërsulmon. Romanjolët kishin rastet më të mira, me Xhiakerinin dhe Budanin.

Por me kalimin e minutave Roma përmirësohet dhe mbyll kundërshtarët në mesfushën e tyre. Pjesën e dytë Çezena e nis mirë duke sulmuar, por ndëshkohet në minutat e fundit. Aksion i zgjatur i Borrielos, Adrianos dhe Simplisios dhe autogol i Pelegrinos. Tri pikë të arta. Ka mjaftuar një gol i Kozak për t’i dhënë fitoren Lacios.

Në “Olimpiko”, kundër Sampdorias, ndeshja përfundoi 1-0 falë një goditjeje me kokë të sulmuesit çek, 6-të minuta para fundit. Por, ndeshja ishte e mërzitshme me pak raste për gol nga të dyja skuadrat. Me këtë rezultat bardhekaltrit e Rejas ngjiten në vendin e dytë të renditjes me të njëjtat pikë me Napolin.

Ka qenë Kaljari që ka dalë i qeshur nga ndeshja e mesditës. Në “Sant’Elia”, kuqeblutë mundën Palermon 3-1 dhe siguruan një pozicion të qetë në mesin e renditjes. Siçilianët nuk luajtën mirë dhe ishin pafat, duke parë se goli i parë Matrit erdhi nga një pozicion jashtë loje i qartë. Në pjesën e dytë, gjithçka ndodhi në 9 minuta: autogol i Noçerinos, 2-1 i pjesshëm i Pastores dhe Biondini fikson shifrat në 3-1.

Udineze, për të dielën e dytë radhazi, shënon 4 gola në transfertë. Këtë herë mjaftuan për të fituar kundër Xhenoas, që pasi barazoi dy herë u dorëzua. Për friulanët shënoi Armero (27′), Di Natale (57′), Sançez (69′) dhe Denis (90′). Milaneto dhe Destro barazuan dy herë për vendasit 1-1 dhe 2-2.

Por paraqitja e dobët e mbrojtjes vështirësoi gjithçka për kuqeblutë. Përfundoi në barazim ndeshja mes Katanias dhe Kievos. Në “Masimino” kaluan në avantazh vendasit falë një penalltie të kthyer në gol nga Maksi Lopez. Barazimi për veronezët vjen në pjesën e dytë me Serxhio Pelizier që mposht Anduhar.

Të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, por takimi mbyllet në barazim. Breshia merr tri pikë të rëndësishme pasi mundi Parmën në “Rigamonti”. 2-0 ka qenë rezultati final, me gola të Begas dhe Diamantit dy minuta para fundit të takimit. Një ndeshje e kushtëzuar nga kartoni i kuq i Paçit, që ka lënë emilianët me 10 lojtarë që nga minuta e 28-të e pjesës së parë.