17 janar 2011

Del Piero, e ardhmja është akoma një rebus

Kapiteni shënoi dje golin e 280 me fanellën bardhezi, por rinovimi po vonon: Gjithçka mund të ndodhë

Goli numër 181 në Serinë A, i 280-ti me fanellën e Juventusit: në një të dielë të vështirë për bardhezinjtë, as goli i parë i rëndësishëm i Del Pieros ndaj Barit nuk mund të japë siguri për të ardhmen e tij, pasi kapiteni është akoma në pritje të konfirmimit:

“Besoj se së shpejti do të vendosim se cila do të jetë e ardhmja ime, edhe për një çështje programacioni nga ana ime dhe e klubit, - tha Del Piero. - Bisedimet janë akoma të hapura dhe transparente me klubin, gjithçka mund të ndodhë në këto momente, por prioriteti im është Juventusi. Nuk shoh asnjë problem, - vazhdoi Aleksi.

- Shpresoj dhe besoj që të mësoj diçka para marsit”. Mes sirenave që nga larg thërrasin sulmuesin 37-vjeçar, është edhe Milani: Silvio Berluskoni ka manifestuar shpesh herë stimulin e tij ndaj kapiteni bardhezi:

“E falënderova atëherë dhe e bëj edhe tani, por parë atë që ka qenë historia ime te Juventusi, nuk mendoj se do të luaj në një tjetër skuadër italiane”. I menjëhershëm është krahasimi me një tjetër flamur të futbollit italian: Françesko Toti: ai ka një kontratë, Del Piero jo, por historitë e dy kapitenëve nuk janë të ngjashme:

“Uroj që Françeskoja ta mbyllë karrierën te Roma, - nënvizon Del Piero, - sepse është simboli i kësaj skuadre dhe ka cilësi për të dhënë akoma më shumë”. Goli i shënuar ndaj Barit me goditje standarde është i disati sa i takon karrierës fantastike të Alesandro Del Pieros, që është i lumtur për fitoren e parë të skuadrës së tij për 2011-ën:

“Sakrifikuam shumë në këtë ndeshje. Të gjithë luajtëm mirë, ishte ndeshja më e mirë në aspektin e karakterit”. Numri 10-të bardhezi, si një kapiten i mirë është i gëzuar edhe për rikthimin e Bufonit: “Jam i lumtur për rikthimin e tij, - shpjegon “Pinturikio” për portierin e kombëtares.

Çdo futbollist ka vlera të ndryshme sikundër dhe Bufoni. Por nuk duhet të harrojmë që edhe Storari me Maningerin kanë zhvilluar një kampionat të shkëlqyer”.