20 janar 2011

Roma fiton derbin, në çerekfinale të Kupës gjen Juven

Roma fiton 2-1 përballë Lacios në derbin e kryeqytetit dhe siguron një vend në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Kundërshtari i radhës për verdhekuqtë është Juventusi.

Megjithë eliminimin, Lacio del me kokën lart nga “Olimpiko”. Pasi luajti një pjesë të parë më të mirë se kundërshtari, skuadra që mban vendin e dytë në kampionat e gjen veten poshtë pas penalltisë së shndërruar në gol nga Borrielo në minutën e 53-të.

Braziliani Hernanez rikthen baraspeshën po me 11-metërsh pas vetëm katër minutash, ndërkohë që goli që vendosi fatin e takimit mban firmën e mesfushorit Fabio Simplisio (77’). Në çerekfinale, Roma gjen përballë Juventusin që siguroi kualifikimin pasi eliminoi Katanian javën e shkuar (2-0).