20 janar 2011

Moxhi: "Të kthehem tek Juventusi? Pse jo"!

Torino - Në mikrofonat e emisionit 'Tutti pazzi per la Juve', një program shumë popullor radiofonik që zhvillohet në një radio romane, ka ndërhyrë përsëri ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, që ka folur për Calciopolin dhe ka rrëfyer disa nga momentet që ai ka kaluar në drejtimin e Juventusit.

-Mirëmbrëma Luçiano. Çfarë mendoni për blerjen e Luka Tonit dhe atë të sfumuar të Floro Flores?

"Duhet të shikohen me kujdes nevojat imediate të skuadrës, Juventusi në këtë moment është gjendur pa sulmues dhe duhet të mendojë edhe për një zgjidhje numerike, por ndërkohë duhet të theksoj se nuk janë emra për të ardhmen… Aq më tepër Floro Flores, një rezervë e Udinezes".

-Në një situatë të këtij lloji, nuk është më mirë të aktivizohet ndonjë lojtar nga të rinjtë?

"Unë në fakt jam i këtij mendimi për të thënë të vërtetën, besoj se Juventusi duhet të kërkojë të arrijë ndërmjet katër të parave dhe sigurisht që ka mundësi, nuk e kuptoj se përse duhet të blihen lojtarë që mbase në sezonin e ardhshëm nuk do të nevojiten. Unë do të menaxhoja me kujdes emergjencë në pritje që të rikthehen të dëmtuarit, sepse duhet të themi se, Juventusi nuk mund të kërkojë më shumë sesa vendi i katërt në renditje. Do të evitoja të shpenzoja në këtë moment për të investuar para në merkaton verore ku gjenden lojtarë që janë në gjendje të rikthejnë kompetitive këtë skuadër. Problemi është dëshira për të menaxhuar emergjencën. Unë pa para kam arritur të menaxhoj me forcë skuadrën për 12 vite, tashmë në pak vite kanë shpenzuar plot 200 milionë euro dhe mbase mund t'i lejojnë vetes lojtarë që nuk duhen dhe që më pas mund t'i shesin menjëherë. Nga ana tjetër, nga 13 lojtarët që janë blerë duhet të them se 9-10 lojtarë duhet të shiten përsëri… Kështu nuk ndërtohet, shkatërrohet diçka që mund të ekzistonte".

-Sipas teje, Kualjarela pas një dëmtimi të tillë serioz do të blihet përfundimisht?

"Dëmtimin e paguan siguracioni dhe nuk është detyrim ndaj klubit. Edhe mund të mendohet që nuk do të blihet përfundimisht, por kjo varet edhe nga marrëveshjet që janë vendosur ndërmjet dy shoqërive në verë".

-Gjatë javës ka qarkulluar një lajm që ju shikon të riktheheni në Torino sëbashku me Fabio Kapelon. Sa e vërtetë është?

"T'i lemë zërat që qarkullojnë dhe të mendojmë për të ardhmen e afërt më pas do të shikojmë se çfarë do të bëjmë. Gjithsesi në jetë kurrë mos thuaj kurrë…".

-Dëgjoheni shpesh me Xhiraudon në këtë periudhë?

"Sigurisht, sigurisht, përse nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë?"

-Të kthehemi tek Calciopoli dhe tek zhvillimet e fundit me deklaratat spontane të De Santis dhe Cenicolas?

"Nuk bëjnë gjë tjetër veçse konfirmojnë atë që thoja unë prej disa kohësh, që në praktikë kishte shoqëri që bënin gjëra që Juventusi nuk i bënte: ne dhuronim fanela, ndërkohë të tjerë dhuronin pulovra kashmiri. Ne në krahasim me këta këtu ishim më të rregullt. Pavarësisht kësaj, ata nuk kanë kryer asnjë krim, por në të njëjtën kohë as ne nuk kemi kryer një krim".

-Përpara pushimeve ishte e sigurtë se brenda një muaji do të ishin prononcuar për propozimin tuaj për ndryshim vendimi, çfarë pret?

"Nuk pres asgjë, duhet vetëm të provojmë. Duke parë atë që ka dalë jashtë këtë periudhë, unë mendoj që nuk kemi aspak ndërmend të bëjmë një gjë të tillë, sepse në të kundërt do të thotë të ndryshojnë shumë njerëz që janë aty…".

-E konfirmoni që Palazi (prokurori sportiv) dëshiron t'iu dëgjojë përsëri për Calcipoli?

"Nuk e di nëse dëshiron të më dëgjojë përsëri. Unë besoj që janë të mjaftueshme përgjimet që kanë dalë në publik këtë periudhë kohe".

-Të kemi lexuar kohët e fundit në një editorial në 'Libero' për Koboli Xhiljin, që tashmë nga jashtë kritikon punën e drejtuesve të rinj. Nuk është shumë e lehtë kështu?

"Dëshiron që Andrea Anjeli të bëj një figurë të keqe, duke marrë shkas nga rezultatet aktuale të Juventusit pa llogaritur aspak atë që ka gjetur kohët e fundit, e cila sigurisht nuk mund të modifikohet në 6-7 muaj që drejton skuadrën. Tashmë, ka nga ata që flasin dhe urojnë të ndodhin probleme, një prej këtyre është Koboli Xhilji, një tjetër është Boniek. Tashmë ka dalë në publik me një intervistë, sepse nuk i kanë dhënë yllin dhe shprehet se kanë vepruar mirë që nuk ja kanë dhënë. Ky këtu flet dhe shprehet me mllef, është i mërzitur me Juventusin dhe flet keq për Juventusin, një muaj më parë priste yllin dhe fliste mirë. Është shprehur që i mjafton vlerësimi që kishte për të Avokati që e kishte quajtur i "bukuri i mbrëmjeve" dhe nuk ka kuptuar aspak motivin e emrit të tij: natën nuk e shikonte dhe ditën nuk donte ta shikonte".

-Boniek shprehet se, nuk mund të mendohet se është një gjë normale të telefonosh arbitrin 100 herë përpara ndeshjes…

"Po kush e ka bërë një gjë të tillë? Nëse ishte një shoqatë, njëri e dinte atë se çfarë duhet të bënte dhe nuk kishte nevojë të telefononte… E vërteta është që, Boniek është një mjeran që ka provuar të jetë trajner dhe të gjithë e kanë larguar. Është e dallueshme që gjuha është më e fortë sesa vlera që ai mendonte se kishte si trajner. Shfryn kundër atyre që e kanë bërë të pasur, mjafton kjo për të kuptuar se kush është ai që flet…".

-Nga ana tjetër, Boniek në të njëjtën ditë kur është larguar nga Juventusi dhe ka shkuar tek Roma ka filluar të flasë kundër Juventusit?

"Është tipike për njerëz të atij tipi, ka pak për të thënë. Mos harroni që ka provuar të jetë trajner dhe e kanë shkarkuar na 7-8 skuadra. I duket sikur të gjithë i kanë dalë kundër, ndërkohë është reshtuar vetë kundërt, në të kundërt do të kishte arritur të mbante emrin që kishte krijuar kur ishte lojtar".

-Juventusi aktual nuk është një skuadër për titull, të gjithë e kanë të qartë, por kohët e fundit ka pësuar gabime arbitrale. Sipas teje si duhet të sillet Andrea Anjeli për të rifituar peshën politike brenda pallatit?

"Kjo nuk duhet të ndërtojë një alibi, sepse në Napoli mund të pësonte më shumë gola, si edhe me Parmën. Kështu, që t'i lëmë çështjet e arbitrave. Qëndron fakti që, Juventusi duhet të respektohet më shumë në nivelet drejtuese dhe në gazeta, por besoj që Andrea Anjeli është duke punuar shumë mirë".

-Kasano. E prisje që Juventusi të mos bënte asnjë tentativë për të marrë në Torino me kosto zero?

"Unë do ta kisha provuar sigurisht, por në jetë ka disa persona që nuk dëshirojnë të rrezikojnë dhe preferojnë të mos veprojnë. Unë për shembull jam nga ata njerëz, që dëshiroj të provoj dhe si rrjedhojë do të kisha rrezikuar".

-Siena e Antonio Kontes është duke punuar mirë në Serinë B. Mendoni se Konte mund të ishte trajneri i duhur për t'u rinisur?

"Me një shoqëri të duhur që e mbështet mund të jetë trajneri i duhur për të bërë një punë të madhe…".

-Me drejtues si Luçiano Moxhi kështu pra?

"Pasi vdes një baba del një tjetër në skenë. Moxhi ka kurajo për të menaxhuar mirë dhe për të mbrojtur, këtë kurajo ndërkohë e ka paguar shtrenjtë dhe nuk është njohur dhe vlerësuar nga Juventusi i atëhershëm".

-Atë e dinë të gjithë. Ne vazhdojmë të përsërisim se, nëse ekziston një shpresë për të rikthyer ato tituj ndodh, sepse t'i nuk je dorëzuar?

"Dhe nuk jam ndihmuar nga asnjë njeri. Kam bërë gjithçka për llogarinë time, duke paguar nga xhepi im. Në fillim, jam informuar për atë që ndodhte dhe në radhë të dytë e dija atë, që ndërkohë ishte fshehur qartësisht. Dhe dikush, i pëlqen apo jo, duhet edhe të thotë se përse nuk kishte përgjime për Interin. Është një gjë që duhet ta dimë".

-Ju i keni sugjeruar Marrotës të mos bëj revolucion, por të blejë tre katër lojtarë të mirë. Duke parë që Andrea Anjeli ju vlerëson shumë, përse mendoni se kanë bërë të kundërtën e asaj që keni sugjeruar?

"Është e qartë, që nuk e kanë marrë si sugjerim atë që kam shprehur. Tashmë, Andrea Anjeli është president dhe në fillim kishte edhe çështje të tjera përveç atyre sportive. Por besoj se shumë shpejt Anjeli duhet të marrë në dorë situatën edhe nga ana sportive për t'i treguar të gjithëve që duhet të ndihen si njerëz të Juventusit, gjithmonë".

-Kështu që Andrea Anjeli nuk është i kënaqur nga puna në merkato e Marrotës?

"Për këto gjëra nuk flas. Unë jam një mik i Andreas dhe takohemi shpesh, por kur flasim ai shikon mirë kur flet për futboll, sepse nëse do të më fliste për futboll, unë nuk do t'i përgjigjesha dhe ai e di shumë mirë se, përse nuk do të përgjigjesha".

-Në këto ditë je përmendur si një drejtues i mundshëm i Romës me president të ri. E mohoni edhe këtë?

"Këtë mundësi e kam lexuar nga gazetat, mbi të gjitha nga "Gazzetta dello Sport". Kështu që…".

-Shumë njerëz pyesin se çfarë pushteti ka realisht Andrea Anjeli brenda shoqërisë?

"Kësaj pyetjeje nuk mund t'i jap një përgjigje që do t'iu shërbejë. Përshtypja ime është që në këtë moment ka shumë njerëz që kërkojë të thonë fjalën e tyre dhe në këto raste ndodh gjithmonë që punët nuk shkojnë në drejtimin e mirë".

-Kapelo është shprehur që, pas Anglisë nuk do të drejtojë më. Mendoni, ndërkohë që edhe për mirënjohje ndaj Juventusit nëse do të ketë një projekt serioz nga ana e Andreas, Fabio do të pranojë të drejtojë përsëri një skuadër në nivel klubi?

"Këtë nuk di t'ua them, por e njoh shumë mirë karakterin e Fabio Kapelos, që është ai i një luftëtari, kështu që në situata të vështira ai përfshihet me kënaqësi për t'i kthyer gjërat në vendin e tyre. Mund të ndodhë që në fund të drejtimit të Anglisë mund të ketë një mendim mbi një rikthim të mundshëm. Viti 2012 është larg dhe Juventusi, ndërkohë duhet të punojë për të rindërtuar atë që është shkatërruar këtë kohë".