21 janar 2011

Pepe: "Me Sampdorian duhet një ndeshje perfekte"

Torino - Një javë e qetë, pa impenjime në mesjavë për skuadrën bardhezi. Ideale për të përgatitur në mënyrën më të mirë ndeshjen e të dielës. Juventusi vazhdon të mendojë për ndeshjen kundër Sampdorias dhe e ka bërë këtë me impenjimin maksimal. Duke folur për ndeshjen me bardhekaltërit, ka qenë mesfushori i krahut Simone Pepe. I ftuar në studiot e Juventus Channel, ku ka folur për emisionin 'Protagonistët', mesfushori roman ka analizuar situatën aktuale të skuadrës së Luixhi Del Nerit: "Të ndodh shumë rrallë që të punosh gjatë të gjithë javës pa pasur ndeshje zyrtare. Sigurisht, që në momente si ai që po kalojmë për ne ishte e rëndësishme. Jemi duke përgatitur në mënyrën më të mirë ndeshjen e të dielës, shpresojmë që të jemi disi të avantazhuar nga ky pushim në mesjavë". Një pushim, të cilin nuk ka pasur mundësi ta shijojë Sampdoria. Bardhekaltërit kanë zbritur në fushën e lojës të mërkurën për ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Udineses, që më pas është fituar me penallti pas 120 minutave lojë: "E kam parë, ka konfirmuar Pepe. Sampdoria ka zhvilluar një ndeshje të mirë. Të dielën do të gjejmë përballë një kundërshtar me lojtarë të rëndësishëm dhe që, duke luajtur në shtëpi, mund të besojë tek një mbështetje e madhe nga tifozët. Për të fituar do të duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte. Në ndeshjen e parë në Torino kam arritur të shënoj golin tim të parë me fanelën bardhezi, tani shpresoj të realizoj golin tim të katërt në kampionat". Pas transfertës në Xhenova, menjëherë mbërrin një tjetër javë…normale. Një javë me një ndeshje të rëndësishme në mesjavë siç duhet të ndodhë zakonisht. Përballë do të jetë Roma në Kupën e Italisë, një ndeshje speciale për romanin Simone Pepe: "Për momentin jemi duke menduar për transfertën me Sampdorian. E dimë që ajo kundër Romës do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë. Në kampionat kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe do të kishim merituar më shumë sesa një barazim. Këtë herë nuk do të mjaftojë barazimi për të kaluar në fazën tjetër, do të duhet diçka më shumë"..