25 janar 2011

Moxhi: Juve ëndërro, titullin e fiton ai që ka Ibrahimoviçin

Luçiano Moxhi ka analizuar javën e 21 të Serisë A italiane. Në emisionin “Ieri, Moggi e domani” (Dje, Moxhi dhe nesër) të transmetuar në Prima Rete Lombardia dhe “Gold Tv”, i akuzuari kryesor për skandalin “CALCIOPOLIT” foli për situatën e Juventusit, rrugën e Milanit drejt titullit, humbjen e Interit, por edhe mjaft episode të tjera.
Për bardhezinjtë, “Big Luçiano” deklaroi: “Shpresojnë të fitojnë titullin? Çfarë është ky titull që flisni, kjo skuadër do ta ketë të vështirë edhe kualifikimin në Champions League Takimi me Sampdorian ishte i shëmtuar. Më tepër sesa një ndeshje futbolli, ishte një duel shkelmash: të dyja skuadrat treguan kufijtë e tyre teknik. Ecuria e Juventusit në kampionat ka qenë sipas parashikimeve të verës. Ky ekip mund të luftojë për vendin e katërt, por edhe këtë do ta ketë të vështirë. Ata që flisnin për titull, vetëm sa kanë ‘shitur’ iluzione…”. Moxhi mendon se Milani është skuadra që në fund të sezonit do të shpallet kampione dhe e argumenton tezën e tij me aftësitë e jashtëzakonshme të Zlatan Ibrahimoviç. “Kur isha te Napoli, në skuadër kishim Maradonën dhe Karekën, ndërsa Renikasit i kërkoja vetëm topa të gjatë nga mbrojtja, në mënyrë që mesfushorët të çlodheshin dhe prisnim çfarë do të bënte kampioni. Të njëjtën mënyrë loje Ibrahimoviçi ta mundëson i vetëm, ai është një lojtar-skuadër vendimtar, nënvijëzoi ish-drejtuesi i Juves. Në Serinë A ky sulmues bën diferencën. Në Itali, ai që ka Ibrën fiton titullin. Kjo ka ndodhur pesë herë në 5 vjet: do të ndodhë edhe në këtë sezon, nëse Milani nuk i komplikon vetë gjërat, duke praktikuar një futboll më ofensiv nga sa është e nevojshme. Emanuelson? Ky lojtar mund t’u shërbejë kuqezinjve, megjithatë atyre u duhej një lojtar krahu me tipare mbrojtëse”.

Jashtë analizës së Moxhit nuk mund të mbetej Interi, që pësoi humbjen e parë në epokën Leonardo në fushën e Udinezes. “Humbja e zikaltërve në Udine ishte e pranueshme, pavarësisht se Milani u arratis sërish. Udineze praktikon futbollin më të mirë në Serinë A; ata dominuan ndeshjen nga krahët falë paraqitjeve të shkëlqyera të Benatias, Islas, Sançez dhe Armeros. Nëse friulanët nuk do të shisnin çdo vit talentet e tyre, në harkun e disa sezoneve ata do të luftonin për titull”, tha ai. Nuk kishte si të mungonte edhe vlerësimi për Romën: “Kjo skuadër vazhdon të konfirmojë se ka kualitetin për të qenë rivalja e vetme e dy milanezeve në luftën për titull. Përballë Kaljarit, ndeshja u vendos nga aktivizimet e Vuçiniç dhe Menez si zëvendësues. Tashmë Menez është në fazën e pjekurisë si profesionist: francezi po mendon gjithmonë më pak për veten dhe i shërben më shumë skuadrës. Golat e tij, si ai i së shtunës në mbrëmje, më kujtojnë disa lëvizje të Zidanit…”. 73-vjeçari ka folur edhe për skuadrat e tjera: “Lacio po tregon rënie fizike. Ndërsa Zarate me mua do të qëndronte në tribunë, duke parë sjelljet e tij në fushë dhe në fund të ndeshjes. Napoli? Është një skuadër që vazhdon të na habisë. Gjithsesi nuk janë për titull, por do të garojnë deri në fund për në Champions, ashtu si edhe Palermo, që mund të vazhdojë të ëndërrojë”.