25 janar 2011

Luis Fabiano ose Forlan, Juve provon goditjen e madhe

Merkato Bardh e Zi - Barxalji sot do të jetë në Torino, e vonuan problemet me Volfsburgun

Andrea Barxalji pritet sot në Torino. Mbrojtësi kampion i botës shpresonte të prezantohej sot, por disa detaje për t’u sistemuar me Volfsburgun e kanë mbajtur ende në Gjermani: mundet edhe t’i ketë mbyllur dje pasdite, por është më e lehtë të mendojmë për një përfundim të shpejtë të tratativave. Është pak e rëndësishme një gjë e tillë: operacioni është mbyllur dhe dëshira e tij është realizuar. Megjithatë do të ketë një javë të plotë për t’u përgatitur në lidhje me ndeshjen e parë, ose të paktën për grumbullimin e parë me bardhezinjtë. Blerja e Barxaljit (kontratë deri në qershor të 2013-s) i jep fund një kërkimi të gjatë: tashmë dy herë të tjera, në kohën kur luante për Palermon, mbrojtësi i qendrës e kishte humbur për pak mundësinë për t’u transferuar te Juventusi, por kostoja e tij shumë e lartë e kishte shtyrë drejt Bundesligës Gjermane. Tani Delneri ka në dispozicion pesë mbrojtës qendre (është edhe Rinaudo, tashmë pranë rikuperimit total), por numri mund të zbresë sërish në katër në rast të shitjes eventuale të Legrotalies: Bari insiston dhe ai do të shkonte atje ku e çon zemra, ndërkohë që Çezena është më e vendosur dhe në rrugën “Ferraris” betohen se ekzistojnë edhe oferta të tjera. Përveç kësaj shitjeje, nuk është për t’u përjashtuar edhe ajo e Momo Sisokos, por që, sikurse i ka shpjeguar Marota menaxherit të tij, Hoze Seki, do të mund të realizohet vetëm nëse do të ketë një ofertë për ta blerë me titull përfundimtar. Shalke 04 insiston dhe pikërisht për këtë arsye në Gjermani kanë hedhur idenë e një operacioni, i cili përfshin Huntelarin. Gjithnjë sipas zërave që vijnë nga Gjermania, mund të vendoset në diskutim edhe blerja e mbrojtësit të krahut të Hofennajmit, Bek. Në këtë javë të fundit të merkatos, drejtuesit e bardhezinjve do të mund të bëjnë një goditje të madhe, por vetëm nëse do të kenë një mundësi të mirë të orëve të fundit: investimet ekskluzive të buxhetit ekstra. Surpriza mund të vijë nga Sevilja për Luis Fabianon ose nga Madridi për Forlan, ndryshe kontingjenti nuk do të ndryshojë. Vetë Delneri pas ndeshjes në “Marassi” nënvizon se “fenomenët janë të paktë në numër dhe kushtojnë shumë”.