Futbollisti sërb nga Kosova, Milos Krasic po i kalon pushimet dimërore në vendlindjen e tij, në Mitrovicën Veriore të Kosovës.
Duke folur për mediat sërbe, Milos Krasic ka thënë se as nuk kishte dyshimin më të vogël se ku do t’i kalonte pushimet.
Ai ka thënë se ka lutur me vite të tëra prindërit e tij që të shkojnë me të në Moskë, ose tani në Torino, por ata nuk kanë pranuar të lëshojnë "truallin shekullor".
"Nuk kam pasur dilemë se ku do t’i kaloj disa ditë të lira për shkak të pushimit në kampionatin italian. Menjëherë kam shkuar në qytetin e lindjes, që të shoh prindërit dhe shokët e fëmijërisë. Babain dhe nënën, me miliona herë i kam lutur që të vijnë me mua në Moskë ose në Torino, por nuk më kanë dëgjuar. Jam lodhur duke i lutur që ta lënë Mitrovicën. Por, më vjen mirë që e shoh se tani në Mitrovicë nuk u mungon asgjë. Po jetojnë normalisht", ka thënë Krasic.
"Kosovari" është bërë menjëherë referenca dhe ylli kryesor i Zonjës së Vjetër.