Me hyrjen e vitit të ri hapet edhe faza intensive e merkatos, me të 20 klubet elitare italiane që synojnë të përforcohen për të arritur objektivat e tyre në kampionat. “Gazzetta dello Sport” përzgjodhi emrat kryesorë që bëjnë të ëndërrojnë gjigantët e vendit.
Kaka – Interi është i vendosur që të bëjë gjithçka gjatë janarit për të rikthyer në “San Siro” ish-milanistin. Shumë do të varet prej vullnetit të vetë futbollistit.
Evra – Santon nuk përfshihet në planet aktuale të zikaltërve. Leonardo preferon që ta japë atë borxh në një skuadër tjetër të Serisë A që të fitojë përvojë, ndërsa mbrojtësi i Manchester United duhet të jetë zëvendësuesi i italianit.
Klose – Sulmuesi me më shumë gola të shënuar në historinë e kombëtares gjermane ka humbur vendin e tij si titullar tek Bayern Munchen. Për të, betejë dyshe midis Juventus-it dhe Lazio-s.
Behrami – Mesfushori me origjinë kosovare, aktualisht i West Ham është shndërruar në objektivin kryesor të Roma-s që prej largimit të Baptista-s tek Malaga. I padëshiruar prej klubit londinez, kalimi i tij në “Olimpico” nuk duhet të jetë i ndërlikuar.