18 janar 2011

Luçiano Moxhi: "Për fat të mirë tek Juventusi është Del Piero"

Romë - Ish drejtori i përgjithshëm bardhezi ka komentuar edhe situatën e Milanit e Interit. Kthehet të flasë Luçiano Moxhi. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, i ftuar në një emision televiziv që zhvillohet çdo të hënë me titull "Dje, Moxhi dhe nesër", ka komentuar situatën aktuale që po kalon skuadra bardhezi e drejtuar nga Luixhi Del Neri, që ka arritur të fitojë me shumë vështirësi kundër Barit, duke u kthyer tek fitorja pas dy humbjeve të rënda: "Pas entuziazmit pas fitores së lehtë kundër rezervave të Katanias në Kupën e Italisë, Juventusi ka marrë 3 pikë të rëndësishme kundër Barit, shpjegon Big Luciano. Pozicioni aktual i Juventusit është ai më realisti në raport me cilësitë tekniko-taktike që disponon kjo skuadër. Nëse nuk blihen kampionë…. dhe për fat të mirë që Aleks Del Piero duket se nuk plaket asnjëherë!". Luçiano Moxhi nuk ka harruar t'i shprehë komplimentat e merituara Interit, që është kthyer një skuadër e madhe pas mbërritjes në bankinë të brazilianit Leonardo: "Goli i parë në pozicion jashtë loje? Ka shumë pak rëndësi në ndeshje të tilla, ku diferenca në fushën e lojës është shumë e madhe. Interi ka rilindur me Leonardon, mbi të gjitha në aspektin mendor nëse mjafton të shikosh mbrojtësin Maikon, që me Rafa Benitez në drejtim dukej se ishte vëllai i Diego Militos, që më në fund është rikuperuar. Ndjekja e kuqezinjve të Milanit vazhdon dhe besoj se shumë shpejt mund të ndodhë edhe rrokada". Por, shumë keq po paraqitet Milani në këto javët e fundit, që vjen pas dy barazimeve me Udinezen dhe Leçen në minutat e fundit: "Një tjetër ndeshje e vështirë për kuqezinjtë, që nuk janë paraqitur siç duhet. Mbase, sepse pasi kanë shënuar një gol të jashtëzakonshëm me anë të Ibrahimoviç kanë menduar se kishte përfunduar ndeshja, por kur udhëheq ndeshjen me rezultatin 1-0 gjithmonë është e rëndësishme t'i mbyllësh ndeshjet në mënyrë që në fund të mos ndodhin surpriza të pakëndshme siç ka ndodhur të dielën në Leçe"..