18 janar 2011

Krasiç: "Juventusi për mua është maksimumi"

"Ëndrra e çdo lojtari është të mbërrijë tek Juventusi. E kam vendosur në vend të parë, nuk më interesonin shumë paratë, nuk më interesonte aspak ajo që ofronin klubet e tjera, unë doja vetëm Juventusin". Milos Krasiç rrëfen emocionet e tija bardhezi në një intervistë të dhënë për gazetën 'Torino Magazine'. Mesfushori serb i Juventusit, që konsiderohet një ndër blerjet më të mira të këtij sezoni, zbulon emocionet e ndeshjeve të para me fanelën bardhezi. "Isha shumë i emocionuar. I kam thënë vetes: Milos, je njeriu më i lumtur në botë", shpjegon Krasiç, që vlerëson maksimalisht edhe kapitenin bardhezi Aleks Del Piero: "Kur i kam shtrënguar dorën Del Pieros kam buzëqeshur brenda meje. Alesandro është me të vërtetë një njeri i mirë. E di që kur marr nga ai një këshillë për futbollin, në realitet është edhe një këshillë e mirë për jetën". Krasiç kishte edhe idhuj të tjerë tek Juventusi: "Bufon, por edhe Vladimir Jugoviç. Isha vetëm 11-vjeçar kur ka mbërritur tek Juventusi, serb si puna ime, e kam admiruar shumë". Një përshtypje shumë të mirë ka krijuar Krasiç për trajnerin Luixhi Del Neri: "Është një profesionist i vërtetë, një njeri me shumë autoritet. Kërkon maksimumin nga ne, dhe ne i japim gjithçka për të arritur objektivat, duke kërkuar të transformojmë këshillat e tija në detyra në fushën e lojës. Kam fatin që di ekzaktësisht se çfarë duhet të bëj në rolin tim, dhe nëse trajneri më kërkon diçka ndryshe, Saliamixhiç më interpreton atë që duhet të bëj". Juventus do të thotë edhe familja Anjeli. "Si në Serbi dhe në Moskë, të gjithë e dinë që Anjelit janë ndërmjet familjeve italiane më të famshme dhe më të rëndësishme në Itali, shpjegon Krasiç. Nuk kam pasur akoma mundësi të flas hapur dhe drejtpërdrejtë me presidentin, por më ka transmetuar shumë forcë. Është një njeri i ri, që e di shumë mirë se çfarë dëshiron, timonieri jonë. Do të japim maksimumin për të". Mesfushori serb i krahut të djathtë i ka idetë e qarta për të ardhmen: "Kam 4 vite kontratë me Juventusin, dëshiroj të fitoj gjithçka është e mundur. Duke u bërë një profesionist i mirë dhe mbi të gjitha një njeri me vlera. Nëse nuk je një njeri pozitiv, brenda nuk je asgjë... Ta mbyll karrierën tek Juventusi? Nëse gjithçka shkon shumë mirë është e drejtë të ndodhë kështu, do të më pëlqente shumë. Por, asnjë njeri nuk mund ta dijë të nesërmen". Një qetësi e madhe, nga një njeri që ka parë luftën nga afër: "Kur prek me dorë sinjifikimin e një lufte, je i detyruar të kesh kurajo. Dhe kam mësuar të sillem me të njëjtën mënyrë edhe në jetë. Lufton çdo ditë për synimet e mia"..