22 janar 2011

Krasiç: "Nuk kam parë diferenca me Interin dhe Milanin"

Torino - Mesfushori serb i krahut që luan për Juventusin, Milos Krasiç, në një intervistë të dhënë për 'Juventus Channel', që është transmetuar dje në mbrëmje, ka folur për muajt e tij të parë në Itali. "Edhe në Rusi ndeshjet janë të luftueshme, ka shpjeguar Krasiç, por cilësia e Serisë A është shumë herë më e lartë. Jam përfshirë shumë mirë në skuadër, kam dhënë maksimumin për të kënaqur që në fillim pritshmëritë e klubit ndaj meje. Dëshiroj të falenderoj shokët e skuadrës, sepse pa ndihmën e tyre nuk do të kisha arritur të ambjentohesha kaq lehtë dhe shpejt. Natyrisht, që duhet të falenderoj shumë përzemërisht edhe tifozët që më kanë mbështetur menjëherë në mënyrë të shkëlqyer". Pikërisht, tifozët bardhezi kanë zgjedhur serbin si beniaminin e tyre, pas një pjese të parë të sezonit të shkëlqyer, ku ka arritur të shënojë edhe shtatë gola. "Golat e shënuar deri më tani kanë qenë të gjithë shumë të bukur, shprehet Krasiç, por ajo me Lacion më ka dhënë një emocion më shumë, mbase emocionin më të madh në të gjithë karrierën time. Ka qenë një moment i një feste të madhe dhe e kemi merituar atë fitore"..

Mesfushori bardhezi, pavarësisht vështirësive që ka pasur skuadra e drejtuar nga Del Neri në muajin e fundit, beson akoma që Juventusi mund të luftojë deri në fund për titullin kampion, përveçse për Kupën e Italisë. "Kemi treguar për të gjithë, që dimë të luajmë shumë mirë dhe se jemi një grup cilësor, ka nënvizuar Krasiç. Edhe Interi dhe Milani luajnë një futboll shumë cilësor, por nuk kam parë diferenca të mëdha me ta. Duhet të japim maksimumin deri në javën e fundit të sezonit. Le të ecim përpara hap pas hapi, por e riktheksoj se i kemi të gjitha cilësitë për të luftuar për titullin kampion dhe për Kupën e Italisë". Të dielën, bardhezinjtë do të jenë të impenjuar në ndeshjen e vështirë në transfertë kundër Sampdorias. Krasiç është i bindur që skuadra do të zhvillojë një ndeshje të mirë. "Në ndeshjen e parë, Sampdoria ka treguar se luan shumë mirë futboll, është shprehur lojtari serb, por ne vijmë në këtë ndeshje pas dy fitoresh radhazi dhe këto do të na japin energji të mëdha për të zhvilluar një ndeshje të bukur, ku do të kërkojmë me insistim të fitojmë". Milos Krasiç në fund ka deklaruar se është i nderuar nga krahasimi me Nedved, dhe se ka dëshirë të mësojë në mënyrën më të mirë gjuhën italiane. "Për mua, është një nder që krahasimi me një lojtar dhe një njeri si Pavel Nedved, është shprehur ai, do të më kishte pëlqyer të luanim sëbashku. Në italisht, për momentin di të them "gjithçka në rregull", shpresoj që të mësoj më shumë deri në fund të sezonit".