18 janar 2011

Akuilani: "Kanë përfunduar kohët e Zidan dhe Nedved"

Torino - Ndeshja e të dielës me Barin i ka shërbyer Juventusit edhe për të rigjetur dy lojtarë që dukeshin se kishin mbetur jashtë grupit: Momo Sisoko dhe Jorge Martinez. Mesfushori nga Mali ka zhvilluar kundër skuadrës së Venturës një ndeshje të jashtëzakonshme si në kohët e vjetra dhe tashmë duket se është nxjerrë jashtë nga merkatoja. Përballja e të mërkurës së shkuar me Bepe Marrotan ka sjellë qetësi ndërmjet palëve dhe tashmë mesfushori i fortë afrikan është i gatshëm të luajë shanset e tija në Torino, edhe sepse oferta të vërteta dhe të rëndësishme për blerjen e tij nuk kanë mbërritur. I kënaqur edhe uruguajani Martinez, që është rikthyer në fushën e lojës pas shumë problemeve fizike: "Falenderoj stafin mjekësor, shoqërinë dhe shokët e skuadrës që më kanë qëndruar pranë në këto momente, duke parë që çdo ditë më pyesnin për rikuperimin tim. Jam shumë i lumtur, sepse jam rikthyer dhe jam gjendur mirë, është shprehur fantazisti uruguajan për Tuttosport. Kam luajtur edhe si sulmues i parë, duke parë emergjencë që ishte në skuadër. Kishte ndodhur kjo disa herë në sezonin e shkuar kur unë luaja për Katanian". I lumtur për golin, por me këmbët e salduar në tokë është edhe Alberto Akuilani: "Nuk mund të jemi një skuadër për titullin kampion një javë dhe pak ditë më pas të mos jemi as për në Europa Ligë, është shprehur mesfushori roman një ditë pas ndeshjes me Barin të fituar 2-1- Kjo është një shoqëri e madhe që ka fituar gjithçka, por realiteti i sotëm është që mund të kemi vështirësi edhe kundër Barit: nuk janë më në këtë klub kohët e Zidane dhe Nedved. Titulli kampion? Të mos bëjmë shaka: Milani, Interi dhe Roma janë më mirë sesa ne dhe jo pak diferencë ka. Realisht, vendi i katërt është objektivi jonë maksimal"..