22 janar 2011

Krasiç beson: Edhe ne jemi për titull

Mesfushori serb nuk bën parashikime, por thekson: Jemi si Interi e Milani, s’kemi shumë ndryshime

Millosh Krasiç nuk ka më dyshime: Juventusi është një kandidat i fortë për luftën për titull. Talenti serb, e shpjegon një gjë të tillë me bindje: “Interi dhe Milani luajnë një futboll të shkëlqyer, por nuk është se kam parë ndryshime të mëdha në krahasim me ne.

Ne do të luftojmë deri në fund. I kemi të gjitha cilësitë për të fituar titullin dhe Kupën e Italisë. Kemi treguar se edhe ne dimë të luajmë mirë dhe se jemi një grup fantastik. Është e kotë të bëjmë parashikime, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe t’i bëjmë llogaritë në fund. Sigurisht asgjë s’është e humbur: shikoni renditjen: jemi të gjithë aty”.

Shtatë pikë për të rekuperuar nga vendi i parë janë shumë pak për të mos shpresuar në një finale magjike sezoni. Krasiç, që është edhe një nga pedinat kryesore të skuadrës së Del Nerit, e shikon të ardhmen me optimizëm, por e di mirë që të gjitha ndeshjet do të jenë përkushtuese deri në fund. Duke filluar që nga ajo e nesërmja kundër Sampdorias:

“Në fazën e parë kundërshtari ynë luajti një futboll të bukur, por ne vinim nga dy fitore radhazi, - shpjegon Krasiç. - Këto do të na japin një energji të mirë për të shpresuar të fitojmë”. Krahasimi me çekun Nedved tashmë është kthyer në modë për mesfushorin: “Për mua është një nder. Më kanë gëzuar shumë edhe fjalët e Pavelit për mua.

Do të kishte qenë e bukur të luaja me një kampion si ai. Dje ishte një kampion i madh, sot një drejtues gjithnjë e më pranë skuadrës. Nuk mund të them se i ngjaj vërtet, më nderon fakti që gjithnjë thotë fjalë të mira për mua”. Përveç teknikës dhe driblimeve që e karakterizojnë, Krasiç shquhet edhe për shënimin e golave:

“Golat e shënuar deri më tani kanë qenë të bukur të gjithë, por e përsëris se ai ndaj Lacios më ka dhënë një emocion të fortë, ndoshta më i forti gjatë gjithë karrierës sime”, - pranon serbi, ish-futbollist i CSKA-së së Moskës, autor i 7 golave në sezon, ku pesë në kampionat, një në Ligën e Europës dhe një në Kupën e Italisë”.

Për momentin ai është ylli i Juventusit, por 23-vjeçari mund të përfundonte edhe tek rivalët e Interit: “Nuk e di sinqerisht, - pohon lojtari bardhezi, - nëse klubi zikaltër ka bërë një ofertë konkrete për mua kur luaja në Rusi. Ndoshta nuk do të kishte ndryshuar asgjë: zgjedhja ime ishte bërë, Juventusi pra.

Me Stankoviçin bëja shaka mbi të ardhmen time gjatë Botërorit në Afrikën e Jugut, por përveç batutave, më jepte edhe këshilla. Dejani më ka ndihmuar të kuptoj rëndësinë dhe bukurinë e futbollit italian, - vazhdon Krasiç për bashkëkombasin e tij që luan tek zikaltrit.

Sapo mësova mbi interesimin e bardhezinjve, vendosa të mos dëgjoj më për oferta të tjera. Del Piero? Për mua Aleksi është një poezi e mirëfilltë. Me lojën që bën, të zbavit, të relakson. Për ne të rinjtë ka qenë gjithnjë një shtysë e madhe për të na motivuar edhe në momentet e vështira”.