14 janar 2011

Juvja kërkon një sulmues, gati Forlan

Drejtori i përgjithshëm bardhezi Marota pranon se pas dëmtimit të Kualjarelës, do ndërhyhet në merkato

Katania për t’u kthyer të buzëqeshë. Juventusi sot në Kupën e Italisë kërkon të rigjejë fitoren. Mjedisi është i demoralizuar dhe infermieria plot, por drejtori i përgjithshëm Bepe Marota, nuk tërhiqet prapa përballë përgjegjësive: “Djemtë e dinë që duam ta fitojmë këtë trofe, duhet të jenë konkurrues në të gjitha veprimtaritë.

Në merkato do të operojmë sërish: nëse do të na jepet rasti, do të zëvendësojnë Kualjarelën”. Ndërkohë Toni është riaftësuar. Sulmuesi i sapoardhur nga Xhenoa dhe pas debutimit në kampionat, thuajse është riaftësuar nga problemi në pulpë që pësoi në Napoli. Del Neri e ka thirrur mes të grumbulluarve.

Por problemi i sulmuesve nuk mbaron këtu. Mungesa e gjatë e Kualjarelës dhe problemet e Iakuintës detyrojnë një rikthim në merkato. “Nuk dua të hyj në këto argumenta, - vazhdoi Marota, - sepse na intereson në fillim sfida me Katanian.

E dimë që jemi në një situatë të vështirë, sepse mungojnë elementë të rëndësishëm, para së gjithash golashënuesi ynë Kualjarela. Nuk është e lehtë të zëvendësohet, por do të përpiqemi të vëzhgojmë situatën të gatshëm të shfrytëzojmë çdo rast”.

Dhe burimet e para flasin për një përshpejtim të bisedimeve për Andrea Barzaljin. “Zonja” qenka pranë një marrëveshjeje deri në 2013-ën me qendërmbrojtësin italian të Volfsburgut, i cili sipas burimeve mund të jetë gati që për këtë të dielë. Por goditja e vërtetë në merkato do të ishte ajo e Diego Forlanit.

Klubi bardhezi ka kohë që e ka nisur mësymjen drejt bomberit
uruguajan. Marota do t’i kërkojë informacione Atletikos së Madridit dhe do të vlerësojë gatishmërinë e futbollistit për të biseduar mbi rrogën. Pasi të plotësohen kushtet e barabarta, Juvja do të kërkojë të zhbllokojë buxhetin e saj.

Menaxheri i sulmuesit, Daniel Bolotnikof, thotë: “Nëse vjen një ofertë serioze, do ta marrim në konsideratë”. Uruguajani edhe pse është 31 vjeç, shihet si një investim i mirë për të ardhmen. Por lind pyetja: a ia vlen të shpenzohen disa dhjetra milionë euro (me një rrogë thuajse 4.5 milionë në sezon) për një lojtar që maksimumi mund të ketë një karrierë jo më shumë se 4-5 vjeçare?

Përgjigja që vjen në këto orë nga shtëpia bardhezi, është “po”, ndonëse, meqë ekziston mundësia “Zonja” do të përpiqet ta bindë Atletikon ta lirojë Forlanin në formë huazimi. Mision ky në kufijtë e mundësisë. Por mungesat nuk mund të bëhen një alibi për një skuadër si Juventusi.

Që luan në Kupën e Italisë me një shpirt ndryshe në krahasim me “big”-ët e tjerë italianë. “Kupa e Italisë është një objektiv i
rëndësishëm, është një trofe për t’u fituar. Për këtë do të aktivizohet formacioni më i mirë, - shpjegon Marota. - Kjo organikë duhet të jetë në gjendje të konkurrojë në dy veprimtaritë e mbetura: Kupa e Italisë dhe kampionati”.