16 janar 2011

Juventus - Bastos një ëndërr, Floro Flores shumë pranë

Juventusi vazhdon të jetë në kërkim të përforcimeve, si në sulm ashtu edhe në repartet e tjera të fushës. Sipas asaj që shkruan sot gazeta italiane "Corriere dello Sport" bardhezinjtë kanë spostuar interesin e tyre të merkatos në Francë: ka nga ata që thonë se objektivi është mbrojtësi i krahut të Marsejës, Taje Taivu, që është në prag skadimi kontrate ose mesfushori i Saint Etienne Blaise Matuidi. Në realitet, emri kryesor që qarkullon në bllokun e Marrotës është Mishel Bastos, mbrojtësi brazilian i krahut të majtë. Mendohet, se është arritur tashmë marrëveshja me Lionin, por duhet të gjendet marrëveshja me lojtarin. Mbrojtja: pritet përgjigja e Volsburgut për Andrea Barzaljin dhe është bërë një sondazh tek Cezena për japonezin Nagamoto. Kapitulli i sulmit. Pas dëmtimit që ka pësuar edhe Luka Toni, ekziston nevoja për një tjetër sulmues: praktikisht është arritur marrëveshja me Udinezen për Floro Flores, që do të mbërrijë në formë huazimi me të drejtë blerje përfundimtare (1.5 milionë euro huazimi dhe 10 milionë euro blerja përfundimtare). Nuk mund të bëhet, ndërkohë asgjë për Luis Fabianon: Amauri, që Sevilja do ta pëlqente si një shkëmbim teknik, nuk ka aspak ndërmend të largohet nga Juventusi në merkaton e muajit janar. Kërkon edhe gjashtë muaj të tjerë për të kuptuar nëse aventura e tij në skuadrën bardhezi ka kapur fundin ose, në të kundërt mund të vazhdojë akoma më tej. Braziliani, nga ana e tij, pavarësisht përkëdheljes së Real Madridit të Murinjos, nuk kërkon të largohet aspak nga skuadra bardhezi. Dhe nuk është i vetmi. Ja sesi është shprehur në fakt Diego Forlan, sulmuesi i Atletiko Madridit dhe një lojtar që pëlqehet prej kohësh nga bardhezinjtë, për transferimin e tij të mundshëm: "Këtu në Madrid jam mirë, por nëse duhet të mbërrijë një ofertë interesante do ta vlerësoj sëbashku me klubin tim, një gjë të tillë e kam bërë edhe kur luaja me Vilarealin. E di që në Itali flitet shumë për mua, por deri në këtë moment kam dëgjuar vetëm zëra, nuk kam dëgjuar ndërkohë asnjë propozim konkret. E di që Juventusi ka marrë Luka Tonin, është dëmtuar? Ah atëherë e kuptoj shumë mirë se, përse qarkullojnë gjithë këto zëra merkatoje…".