19 janar 2011

Juve, Trezege thotë “jo” dhe sulmon

Ish-”bomberi” bardhezi, tashmë te Herkulesi kërkonte një trajtim më të mirë

David Trezege, një nga pendimet e mëdha të Juventusit, largon çdo hipotezë mbi një rikthim të tij në Torino dhe sulmon ashpër klubin bardhezi gjatë një takimi mode në Milano.

“Do ta mbaj gjithnjë në zemër Juventusin, por jam mirë në Spanjë, është përvoja që kërkoja dhe doja ta ndërmerrja këtë nismë në jetën time, - thotë sulmuesi francez i Herkulesit në Spanjë.

- Sigurisht do të kthehem shpejt për të përshëndetur tifozët në Torino, deri tani nuk kam pasur mundësi, por u premtoj që shpejt do të takohemi dhe do të festojmë së bashku”. Sulmuesi 33-vjeçar që po kalon një moment të mirë te Herkulesi i Alikantes, kërkon të shfryjë:

“Prisja pas disa vjetësh një tjetër lloj trajtimi nga ana e klubit bardhezi verën e shkuar, por shkoi siç e dinë të gjithë, ndaj durim. Doja më shumë besim dhe parapëlqeva të ikja diku tjetër.

Do të doja madje ta shihja Juven edhe më lart, jam i sigurt sepse është ndërmarrë një projekt fitues që do t’i shohë bardhezinjtë në krye, por unë e mendoja t’i shikoja mes të parave më shpejt”, - përfundon Trezege.

E vetmja gjë e sigurt është që në fund, do të jetë një Juventus ndryshe. Merkatoja e janarit të “Zonjës”, është gjithnjë e më me pështjellime dhe e rrëmujshme pas heqjes dorë nga Floro Floresi (në fillim i marrë, pastaj i lënë pas rebelimit të tifozëve bardhezinj).

Tani objektivi për sulmin rikthehet Huntelar, por duhet sakrifica e Momo Sisokosë, ndërkohë që kanë filluar lëvizjet edhe në repartin e mbrojtjes: kërkohet Barzalji, por nëse vjen largohet Legrotalje. Po ashtu edhe mbrojtësi i djathtë Marko Mota është në dyshim.