21 janar 2011

Del Piero përgatit dy rekorde dhe një firmë

Kapiteni bardhezi ka vënë në shënjestër dy objektiva të rinj dhe është afër rinovimit me Juven

Këtë radhë nuk hyn mosha, e kaluara, e ardhmja, kontrata, stadiumi i ri. Hyn vetëm talenti që më pas, duke e thjeshtuar, është ai që i bën gjërat e vështira të lehta dhe që nuk zbehet me kohën.

Mbas rreth dhjetë vitesh, duke luajtur në park me djemtë Tobias dhe Sasha, Alesandro Del Piero do të shënjestrojë një pemë dhe do ta godasë në tentativën e parë. Sepse e bënte këtë që kur ishte fëmijë dhe ekzekutonte goditjet e para të dënimit në oborrin e shtëpisë, edhe natën, me dritat e makinës të babait Xhino që ktheheshin në reflektorë të atij stadiumi ëndrrash.

Goditja e dënimit e kthyer në gol të dielën e kaluar kundër Barit ka qenë e 47-ta në karrierën e tij: 41 gola me Juven dhe 6 me Italinë. Ai gol ka nxjerrë skuadrën nga një moment i vështirë, ka konfirmuar dëshirën për të fituar të Del Pieros (ka shkuar me vrap drejt tifozëve që nuk ndodhte prej kohësh) dhe e ka lejuar Alesandron t’i afrohet dy rekordeve të tjerë.

I pari ka të bëjë pikërisht me goditjet e dënimit: kapiteni i Juves është në vendin e dytë të renditjes të të gjitha kohërave për golat e shënuar nga goditjet standarde në ndeshjet e luajtura me klubet. I pari është Sinisha Mihajlloviç në kuotën e 43 golave, më pas vjen Alesandro me dy gola më pak.

Trajneri aktual i Fiorentinës kryeson edhe renditjen që merr parasysh edhe golat nga goditjet e dënimit të shënuar në Serinë A: 28 gola për Mihajlloviçin dhe 21 për Del Pieron që ka lënë mbrapa Roberto Baxhion dhe Zolën (20) dhe specialistët e tjerë Pirlo (15), Maradona (14), Platini, Kieza dhe Rekoba (13).

Rekordi i dytë ka të bëjë me numrin e golave të shënuar me një klub futbolli. Në krye është Xhiuzepe Meaca në kuotën e 282 golave dhe në të dytin është pikërisht Del Piero vetëm dy gola larg.

Parakalimi është shumë afër dhe rekordi mund të rezistojë për një kohë të gjatë sepse nga tetë të parët e renditjes që luajnë akoma janë vetëm Del Piero dhe Françesko Toti, që është i katërti 32 gola larg kapitenit të Juves.

Me pak fjalë, Del Piero është gjithmonë i pranishëm. Por kjo nuk është një gjë e re dhe nuk është sigurisht mundësia për të arritur rekorde të tjerë që e kushtëzojnë kapitenin bardhezi. Alesandro ka vetëm dëshirë të luajë dhe të ndihmojë klubin e tij.

Shpejt do të fillojnë negociatat për rinovimin e kontratës dhe Del Piero ka bërë të ditur se përparësia e tij është fanella e Juves. Për të luajtur në park me Tobiasin dhe Sashën ka akoma kohë.