22 janar 2011

Del Piero-Anjeli, bashkohen për rinovimin

Kapiteni dhe presidenti i Juves flasin mbi kontratën. Aleksi do 3 milionë në sezon

Andrea Anjeli e Aleks Del Piero janë takuar. Presidenti dhe kapiteni i Juventusit kanë nisur të flasin mbi rinovimin, duke u përpjekur për të arritur sa më shpejt në një zgjidhje që t’i lumturojë të gjithë. Kontrata e Aleksit skadon në këtë qershor, por ai kërkon të luajë akoma. Në takim mungonte drejtori i përgjithshëm bardhezi, Bepe Marota.

Juvja i ofron 1 milionë e gjysmë euro për një vit, lojtari kërkon 3. Megjithatë mbi shifrat do të flasin shumë shpejt menaxheri i Del Pieros, vëllai Stefano dhe drejtuesi Marota. Çështja e rinovimit (1-vjeçar), nuk është e lidhur me faktorin ekonomik.

Nëse Juventusi do të bindet që Del Piero është akoma i përshtatshëm fizikisht dhe i vlefshëm për Del Nerin, marrëveshja quhet e arritur. Ndoshta jo me shifrat e kërkuara nga kapiteni, duke parë që klubi nuk kërkon ta kalojë masën e rrogave.

Takimi mes kapitenit dhe presidentit shërbeu edhe për të sqaruar një çështje që u fry edhe mediatikisht. Jo më përpara se disa javë më parë, vetë Andrea Anjeli theksonte se synonte të vlerësonte gjendjen e Del Pieros në fund të sezonit për të pasur një ide më të qartë mbi rinovimin.

Por “Pinturikioja” nuk ka pranuar asnjëherë të diskutojë mbi çështjen në fjalë kaq vonë dhe ka nxitur derisa palët të bisedonin pak më përpara dhe të mbyllnim çdo tratativë brenda marsit. Samiti në selinë e klubit bardhezi, pa asnjë ndërmjetës të brendshëm, ka shkuar në këtë drejtim.

Del Piero e Anjeli janë miq, përveç se moshatarë (37 vjeç) dhe janë dakord me projektin e ri juventin. Anjeli i njeh mirë vlerat që gëzon Del Piero mes tifozëve dhe për historinë bardhezi, por nuk mund të ndalojë tek mirënjohja.

Del Piero nga ana e tij, është i bindur se mund të jetë akoma i rëndësishëm për këtë skuadër dhe shpreson ta shoqërojë edhe në stadiumin e ri me golat e tij. Bashkimi i objektivave është reciprok. Tani duhet marrëveshja ekonomike dhe ndonjë firmë. Për të bërë drejtuesin ka akoma kohë.