24 janar 2011

Del Neri: Na ka munguar vetëm goli

Trajneri i Juventusit, pavarësisht barazimit me Sampdorian, ka qenë i kënaqur me skuadrën e tij

Rikthimi në Gjenovën e “tij” nuk solli suksesin e shpresuar të Juventusit, por Xhixhi Del Neri e sheh gotën gjysëm të mbushur. “Jam i kënaqur: skuadra ka krijuar 4-5 raste të pastra për gol, pa i lënë asnjë hapësirë Sampdorias. Na ka munguar vetëm goli.

Kur nuk kemi pasur mungesa kemi treguar se mund të luajmë kundër kujtdo, unë jam akoma i bindur se skuadra ime është më e mira e kampionatit”, ka thënë trajneri bardhezi. Në lidhje me lojtarët: “Paraqitja e Amaurit ka qenë e mirë, ka vrapuar shumë dhe nëse do të kishte shënuar edhe gol do të kishte qenë i shkëlqyer. Zëvendësimi i Krasiç?

Nuk po luante mirë, sepse ka muaj që luan pa pushuar. Javën e ardhshme do të mund të mbështetemi te rikthimi i Iakuintës dhe Felipe Melos, shpejt do të kthehet Toni dhe do të kemi mundësinë të mbajmë në stol alternativa të rëndësishme. Unë them se duhet të rigjejmë energjitë dhe lojtarët që na mungojnë.

Justifikime kemi shumë duke parë mungesat, por e dimë se mund të bëjmë më shumë”, ka shtuar Del Neri. Por, kohë për të pushuar nuk ka, duke parë se të enjten do të luhen çerekfinalet e Kupës së Italisë kundër Romës: “Do të japim maksimumin, për ne është një objektiv shumë i rëndësishëm”, ka thënë tekniku bardhezi.

Ndërsa, Simone Pepe në përfundim të ndeshjes tha: “Kemi bërë ndeshjen tonë kundër një Sampdorie në formë, ndoshta meritonim diçka më shumë ne, mbi të gjitha për rastet që kemi pasur në fund, është për të ardhur keq për rastin e fundit të Del Pieros”, ka shpjeguar Pepe që më pas ka folur për kapitenin bardhezi, në fushë vetëm në pjesën e dytë.

“Aleks është një kampion, një lojtar i rëndësishëm për ne, kishte temperaturë dhe nuk ka luajtur nga minuta e parë, por ata që kanë luajtur kanë bërë punën e tyre”.