25 janar 2011

Del Neri i bindur "Skuadra ime është më e mira nga të gjitha"

Torino - Juventusi vazhdon të humbasë pikë dhe të shtojë diferencën me skuadrat kryesuese të kampionatit, por Luixhi Del Neri nuk ka humbur aspak besimin tek grupi i tij. Trajneri bardhezi, siç lexohet në gazetën italiane Corriere deello Sport, ka çuditur të gjithë një ditë pas ndeshjes me Sampdorian me një deklaratë, ku brenda ka shumë krenari: "Për mua, skuadra ime është më e mira nga të gjitha, kam një besim shumë të madh tek lojtarët e mi, ka shpjeguar Del Neri. Kemi treguar se jemi kompetitivë me Milanin dhe Interin, për mendimin tim jemi skuadra më e mirë, dhe nëse dikush i lejon vetes të thotë që nuk kemi shpirt luftarak, atëherë unë mërzitem dhe nervozohem shumë. Kundër Sampdorias në Marasi kam parë një Juventus të vendosur shumë mirë në fushën e lojës, që ka punuar siç kam kërkuar. Jam i kënaqur, sepse kam parë dëshirë të madhe për të krijuar raste për gola, edhe se më pas nuk kemi arritur t'i shfrytëzojmë. Por unë kam besim tek lojtarët e mi, dhe kur do të kthehen të gjithë dhe do të jemi të kompletuar, duke rikuperuar ndonjë të dëmtuar, do të jemi shumë kompetitivë dhe do të arrijmë objektivat e vendosur në fillim të sezonit".

Më i miri i Juventusit kundër dorianëve ka qenë padiskutim Leonardo Bonuci, që mbrapa nuk ka lënë të kalojë asnjë top, duke lënë të qetë portierin Xhixhi Bufon: "Ka qenë një ndeshje e vështirë, por ishte e qartë se na priste një ndeshje shumë e fortë, është shprehur mbrojtësi i kombëtares italiane për "Tuttosport". Ka qenë një Juventus e ngjashme me skuadrat angleze, e mbledhur dhe e bindur për të luftuar në çdo top.. Le të themi që për dëshirën dhe grintën e treguar është riparë skuadra që disa javë më parë ishte akoma më lart në renditje. Arbitri në disa momente do të kishte vepruar më mirë, nëse do të lejonte që loja të vazhdonte, por gjithsesi duhet të jemi të kënaqur për paraqitjen tonë. Duke parë që nuk kemi arritur të marrim pikët e plota me Sampdorian do të kërkojmë të arrijmë një fitore kundër Romës në Kupën e Italisë. Besojmë dhe duam shumë të vazhdojmë në këtë kompeticion, sepse ai trofe është një prej objektivave tonë në këtë sezon". Ka pasur një kontakt të madh me topin, por është treguar shumë pak preciz poshtë portës Alesandro Del Piero, që në minutat shtesë në Marasi ka pasur një shans të artë për t'i dhuruar fitoren skuadrës së tij: "Gol që është gabuar për shkak të përplasjes në tokë? Mendoj me të vërtetë se ka qenë kjo arsyeja, ka pranuar kapiteni bardhezi. Në fund kemi ngulmuar shumë në sulm dhe mund të kishim fituar ndeshjen", është shprehur kapiteni Aleks Del Piero..