23 janar 2011

Del Neri beson ende tek titulli: "Juventusi synon për më lart"

Torino - Është një e dielë shumë e veçantë për trajnerin bardhezi, Luixhi Del Neri: Juventusi është i detyruar të fitojë për të mos zbritur nga treni titullit kampion dhe këtë duhet ta arrijë në fushën e vështirë të Sampdorias, ish-skuadra e trajnerit: "Titulli kampion? Le të ecim hap pas hapi dhe të rikuperojmë lojtarët e dëmtuar. Mendoj që, Juventusi duhet të luftojë për të arritur gjithmonë maksimumin", është shprehur Del Neri, që nuk është gënjyer nga zërat që qarkullojnë mbi merkaton e mundshme të Juventusit në janar: "Çfarë pres? Atë që mund të mbërrijë. Është duke u bërë gjithçka për t'u përmirësuar. Duhet të qëndrojmë të kujdesshëm për atë që kemi dhe duhet të kërkojmë të përmirëesohemi me mundësitë që kemi, shpjegon Del Neri, duke folur për përforcimet e mundshme. Ekziston një situatë ekonomike e vështirë, e gjithë shoqëria ecën në këtë nivel dhe mendoj se edhe shoqëritë e futbollit duhet të ecim në të njëjtën linjë me shoqërinë italiane. Është edhe një çështje respekti ndaj njerëzve".

Respekt, përkundrazi, dashuri që Del Neri pret të dielën nga ish-tifozët e tij: "Në Xhenova kam gjetur një ambjent shumë të mirë dhe nga ana ime për tifozët dorianë do të ketë gjithmonë duartrokitje. Mendoj që, ndaj meje do të shprehet vlerësim për atë që kam bërë, duke parë arritjen e madhe që kemi pasur sezonin e shkuar. Marrëdhënia jonë ka zgjatur vetëm një sezon, por ka qenë intensive dhe kemi marrë rezultate të mëdha sëbashku, me kualifikimin për në Champions Ligë. Tek Sampdoria nuk mungoj as unë dhe as Antonio Kasano. Çdo sezon është një histori më vete dhe atje gjërat kanë ndryshuar". Dhe mbi Juventusin aktual, mbase, nuk është ende i krahasueshëm me atë Sampdoria të vitit 2010: "Skuadrat duhet të kenë fizionominë e tyre dhe kohën për t'u ndërtuar siç duhet. Tifozët na kanë mbështetur gjithmonë, edhe në momentet më të vështira. Në javën e fundit, ndërkohë gjërat kanë qenë ndryshe, ka qenë pozitive, sepse dy fitoret e arritura kundër Katanias dhe Barit kanë qenë të rëndësishme për t'u rikthyer në gjendje normale. Është e qartë që duhet të vazhdojmë të përmirësohemi në aspektin e lojës dhe intensitetit". Sampdoria, tashmë është një kundërshtar i vështirë, por jo i pakalueshëm, sipas trajnerit bardhezi, që shikon një kundërshtar të rikuperuar dhe aspak të lodhur nga ndeshja e mesjavës në Kupën e Italisë me Udinezen: "Nuk mendoj që Sampdoria do t'i ndjejë 120 minutat kundër Udineses në mesjavë, sepse Juventusi të jep gjithmonë stimuj për të qenë në maksimum. Është një skuadër që luan bashkë prej tre sezonesh, që njihet shumë mirë me njëri-tjetrin dhe që ka sulmues të shkëlqyer. Duhet të përballemi duke luajtur shpejt dhe duke qëndruar të kujdesshëm në momentin kur ata do të ushtrojnë presion".