04 janar 2011

Bufon, sfidat e reja janë Storari dhe kontrata

Ish-portieri i Sampit është i avantazhuar ndaj Xhixhit sepse ka një rrogë shumë më të ulët

Do të jetë një muaj shumë i nxehtë janari midis shtyllave të portës së bardhezinjve. Xhixhi Bufon në fakt po përmirësohet nga dita në ditë, në stërvitje bind gjithnjë dhe më shumë. Domethënë, ndjekja ndaj fanellës së titullarit ka filluar tashmë: është e mundur të grumbullohet për ndeshjen kundër Parmës, të enjten e ardhshme, dhe mund të jetë në fushë nga minuta e parë në takimin pasardhës kundër Napolit.

Një mundësi kjo që nuk do t’i pëlqejë shumë Marko Storarit, i cili deri tani e ka zëvendësuar në mënyrën më të mirë Bufonin, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të Juventusit deri tani, me dyert e kombëtares së Italisë që kanë qëndruar mbyllur vetëm për shkak të moshës në krahasim me të rinjtë Viviano, Sirigu dhe Mirante. Në fakt, heroi i Sampit të Del Nerit, skuadra që vitin e kaluar ka arritur të sigurojë një vend në zonën Chemapions, është gati të luftojë për një vend si titullar me rivalin prestigjioz, por deri në një farë pike.

E di mirë se sa mund të ndikojë, te Juventusi, hija e një lojtari të madh si Bufon, mbi të gjitha nëse Xhixhi do të konfirmojë qëllimin për të mos marrë në konsideratë një largim nga Juventusi deri në qershor. Atëherë, përballë një qëndrimi të sigurtë në stol, duket se Storari do t’i kërkojë klubit bardhezi ta shesë: sepse tashmë ka arritur një nivel të lartë; sepse dëshira për të luajtur është akoma shumë e madhe dhe në moshën 34-vjeçare nuk mund t’i lejojë vetes të humbasë as një muaj nga karriera e tij.

Ajo kontratë që ka me bardhezinjtë peshon. Ndërkohë, Juventusi qëndron në pritje, në këtë moment. Rekuperimi i Bufonit duhet verifikuar në fushën e lojës. Ndjekja për titullin në kampionat, ose gjithsesi një vend në Champions, nuk mund të mos varen nga një portier i madh. Kështu që është e lehtë të imagjinohet që në këtë aspekt drejtuesit bardhezinj do të kërkojnë të shmangin rreziqet.

Megjithatë, duke e analizuar sot situatën nga një aspekt tekniko-ekonomik mund të vihet në dukje se faktet janë në favor të Storarit (1,2 milionë euro në sezon, rendiment maksimal), ndërsa për Bufonin (nëse është në formë, i paarritshëm në aspektin teknik) peshon jo pak rroga prej 6,5 milionë eurosh në sezon deri në 2013-ën. Kosto këto që klubi bardhezi nuk ka ndërmend t’i paguajë në të ardhmen, gjithmonë duke vlerësuar vlerën dhe historinë e Xhixhit të madh.

Në thelb, marrëdhënia midis Bufonit dhe Juves mund të vazhdojë vetëm nëse do të arrihen disa kushte të caktuar. Askush, midis drejtuesve bardhezinj, nuk ka folur për momentin për shifra, por nuk është e vështirë të mendohet për një rrogë jo më të lartë se 3.5 milionë euro në sezon plus bonuse, për një total prej 4 milionë eurosh. Ka mundësi që në gjysmën e këtij muaji palët të fillojnë të flasin për kontratën e re, vetëm nëse hipoteza për një transferim të portierit italian te Junajtid të kthehet në realitet.

Ndërkohë, Marota ka vënë në shënjestër Bufonin e ri. Kështu e ka përcaktuar presidenti i tij aktual, Korioni: Nikola Leali, 18-vjeç, do të kalojë nga Breshia te Juventusi. Por jo menjëherë: marrëveshja midis dy klubeve (bashkëpronësi) parashikon që talenti i ri të qëndrojë te Breshia deri në qershor, për të përfunduar kampionatin e moshave, dhe më pas të transferohet verën e ardhshme në Torino.