18 janar 2011

Akuilani: Vendi i katërt është titulli ynë

Autori i golit të fitores ndaj Barit i ka idetë e qarta mbi kampionatin: Iku koha e Zidanes dhe Nedvedit

Fitorja me Barin i shërbeu Juventusit edhe për të rigjetur dy lojtarë, që dukeshin jashtë listës së organikës: Momo Sisoko dhe Horge Martinez. Mesfushori nga Mali bëri një paraqitje të shkëlqyer kundër bardhekuqve të Venturës, si në kohët e vjetra dhe tashmë nuk duket më në merkato.

Takimi sqarues i javës së shkuar me drejtorin Bepe Marota ka risjellë qetësinë mes dy palëve dhe tani mesfushori i fuqishëm është gati të luajë shanset e tij në Torino, edhe pse oferta të vërteta dhe konkrete për blerjen e tij kanë ardhur.

I lumtur për golin, por me këmbët të blinduara në tokë është edhe Alberto Akuilani: “Nuk mund të jemi një skuadër për titull një javë dhe pak ditë më pas të mos jemi të mirë as për Ligën e Europës, - pranon mesfushori bardhezi.

Ky është një klub i madh që ka fituar gjithçka, por e vërteta aktualisht është që pa u lodhur nuk mund të fitohet, si ndaj Barit: nuk janë më kohët e Zidanes dhe Nedvedit… Titulli? të mos bëjmë shaka, Milani dhe Interi janë më mirë se ne dhe jo pak madje.

Në të vërtetë, vendi i katërt është maksimumi objektivi ynë”. Ky është goli i dytë për Akuilanin: pas Leçes e kishte radhën Bari, duke u shënuar gjithnjë skuadrave puljeze, mirëpo juventini festoi me një gjest shpjegimi. Ai shpjegon: “Nuk ishte ezultancë polemizuese, por inati për momentin e vështirë të skuadrës.

Në këtë periudhë kam qenë shumë në diskutim, pasi Juvja ishte mësuar me lojtarë të mëdhenj më përpara. E përsëris, titullin nuk mund ta fitojmë, Interi, Milani e Roma janë më të fortë. Juvja tani kjo është, duhet të përveshim mëngët dhe të ecim përpara kështu”. Mesfushori shpjegon edhe pozicionin e tij në fushë:

“Luaj tashmë më shumë si organizator sesa si mesfushor i mirëfilltë, në portë arrij më rrallë. Të dëmtuarit janë të shumtë, Juvja kjo është dhe duket që lodhet, por kjo është situata”. Një notë pozitive ka shënuar edhe rikthimi në fushë i Horge Martinezit pas dy muajsh stop për frakturën e pësuar në gishtin e dytë të këmbës së majtë:

“U ndjeva mirë, nuk kisha dhimbje, - thotë uruguajani. - Nuk është një gjë e re për mua të luaj si sulmues, kam luajtur si qendërsulmues dy herë kur isha në Katania: tani dua të shoh Martinezin e vërtetë”.