10 nëntor 2010

Forlan mes Realit dhe Juves

Mediat spanjolle raportojnë se sulmuesi uruguaian është në merkato dhe destinacioni më i mundshëm është Reali i Madridit ose Juventusi.

E përditshmja sportive spanjolle “Marca” shkruan sot se Atletiko e Madridit kërkon ta shesë qysh në merkaton e janarit bomberin, i shpallur futbollisti më i mirë i Kampionatit Botëror të Afrikës së Jugut në qershor të këtij viti. Sipas gazetës, klubi nga Madridi ia ka ofruar Forlanin “kushërinjve” të Realit për shumën e 18 milionë eurove. Oferta nuk është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes një ndërmjetësi.

Po sipas raportit të “Marca”-s, trajneri i Atletikos, Kike Sançez Flores, nuk e ka kundërshtuar shitjen e sulmuesit. Ndërkaq, përveç Realit, destinacionet e tjera të mundshme për 31-vjeçarin janë edhe Juventusi dhe Totenhemi. “Marca” bën me dije se këto dy klube (sidomos bardhezinjtë nga Italia) janë të gatshëm të sigurojnë shërbimet e lojtarit që në janar.