Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero synon të shënojë 200 gola në Serie A pasi u bë realizatori më i mirë në histori të klubit. Ikona e Bianconerëve shënoi golin e tij të 179-të në Kampionatin italian, në fitoren 2-1 ndaj Milanit, të shtunën mbrëma në San Siro. 35-vjeçari nuk e ka ndërmend të ndalet, ai ndjek objektive të reja.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero synon të arrijë në kuotën e 200 golave në Serie A, pasi u bë realizatori më i mirë në histori të klubit. Del Piero shënoi golin e tij të 179-të në Serie A, në fitoren 2-1 ndaj Milanit të shtunën mbrëma në San Siro, ku goli i tij doli të jetë ai vendimtari.
Ikona e Bianconerëve tejkaloi kuotën e mëparshme të Giampiero Bonipertit prej 178 golave në Serie A për Juventusin, të cilën e kishte barazuar më 17 tetor kundër Lecces.
“Tani synoj të arrij në 200 gola, ju gjithmonë duhet t’i vendosni vetes objektiva të reja”, tha Del Piero për të përditshmen sportive italiane Tuttosport. “Këto janë mbrëmje speciale, kur ekipi feston. Vlen tri pikë, asgjë më tepër, por gjithmonë ka shije të veçantë të fitoni në Milano”, shtoi ai.
Del Piero mbush 36 vjet pas pak më tepër se një jave dhe është pjesë e Juventusit nga viti 1993. Por, kontrata e tij aktuale skadon në fund të këtij sezoni. Para ndeshjes kundër Milanit, Del Piero kishte deklaruar se kjo mund të jetë paraqitja e tij e fundit në San Siro, mirëpo ai mbetet i qetë rreth të ardhmes së tij.
“Do të ishte mirë të përfundoj kështu me një paraqitje të këtillë dhe një gol si ky, por dua të vazhdoj përpara. Kam marrëdhënie të mira me të gjithë në klub, ne do të bisedojmë (rreth kontratës) në qetësi, nuk është një prioritet. Jam në formë të mirë fizike dhe dua të luaj, do të shohim se çka do të ndodhë në muajt e ardhshëm”, shtoi ai.
Duke pasur parasysh numrin e madh të futbollistëve të lënduar, trajneri Luigi Delneri ishte i lumtur me rezultatin. Në mungesë të shtatë futbollistëve, ai humbi edhe Giorgio Chiellinin pak para fillimit të ndeshjes, ndërsa gjatë takimit u dëmtuan edhe Paolo De Ceglie dhe Jorge Martinez, duke detyruar mesfushorin e djathtë, Simone Pepe të luajë si mbrojtës i majtë në pjesën e dytë.
“Kam marrë reagimin nga një grup që punon shumë, edhe ata që nuk luajnë shpesh janë gjithmonë të përqendruar dhe rezultatet mund t’i shihni në fushë. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të mi, siç kam thënë gjithmonë, Juventus nuk duhet të varet nga një futbollist por nga mënyra e lojës. Nganjëherë ne luajmë mirë, nganjëherë vuajmë, por ne luftuam për çdo top dhe kjo kërkohet për të arritur rezultate të mira”, deklaroi Delneri. Juventus u ngrit në pozitën e katërt në Serie A.