
Ajo që i vështirëson edhe më shumë raportet me drejtuesit e rinj bardhezinj, Anjeli-Marota, është edhe kontrata e “Super-Xhixhit”, i cili fiton thuajse 6 milionë euro në sezon. Një shifër që në klubin bardhezi duan ta reduktojnë për të kursyer. Storari pastaj ishte menjëherë vendimtar, i besueshëm për Juven. Paraqitjet e tij largojnë nga axhenda juventine emrin e Bufonit, që për momentin po merret me çështje sociale, por pa harruar të theksojë për “t’u kthyer më i fortë se më parë”. Në katër muaj asnjë vizitë në Vinovo, asnjë kontakt me grupin e Del Nerit. Vetëm katër dalje: në “Marasi” të Xhenoas për të takuar shokët e kombëtares, në “Casino” të Sanremos për një ngjarje, në stadiumin e Karrarezes së tij dhe në Davos për të tërhequr një çmim. Përkushtim ky i fundit që e detyroi Juven ta zëvendësojë foton e tij në atë të skuadrës me një kundërfigurë. E njëja gjë u përdor edhe për Amaurin, Martinezin e De Çeljen. Por mungesa e numrit një është më e dukshme. Zërat për një të ardhme të tij në Mançester (Junajtid ose Siti), nuk ndalojnë as pas 7 nëntorit, kur portieri i përgjigjet ftesës së Juventusit për një “sfilatë” në “Olimpiko” së bashku me yjet e tjerë juventinë. Xhixhi sfilon mes ish-kampionëve të vjetër, por nuk shkon ta takojë skuadrën në dhomat e zhveshjes. Një tjetër e dhënë, e dyta, e një divorci të menjëhershëm? Po, jo, ndoshta. E sigurt është vetëm që deklaratat e mësipërme, nuk mjaftojnë për të arkivuar një çështje, që në janar është sigurisht e destinuar të rihapet.