14 gusht 2010

Diego në “ankand”, në lojë edhe Shalke

Një gjë tashmë duket e sigurt: Diego do të kthehet në Bundesligë. Ngelet për të kuptuar se ku, pasi Shalke dhe Volksburgu kanë hapur ankandin për brazilianin. Nga Gelsenkirshen ofrojnë 18 milionë, 2 më shumë se Volksburgu.

Braziliani, nga ana e tij, duket se ka refuzuar Shalken për të evituar “gjeneralin” Magat, me të cilin, brazilianët e kanë të vështirë të punojnë. Të enjten, Roni Gersh, zëvendësi i Magat, u prezantua në Torino me ofertën prej 18 milionë euro, shifër që përmbush kërkesat e Juves. Sipas të mirëinformuarve, Djair Ribas do të takohet në Gelsenkirshen me trajnerin Magat.

Do të jetë momenti vendimtar për të kuptuar të ardhmen e fantazistit brazilian, që deri më tani preferon hipotezën Volksburgu, megjithëse do t’i duhet të luajë në Europa Ligë. Sapo të vijnë të ardhurat nga Diego, Juventusi do të hidhet në sulm për një anësor.

Emrat janë të zakonshmit, Elia dhe Krasiç. Ose që të dy. Përsa i takon holandezit, duhet rritur oferta. Nga Gjermania, drejtori sportiv i Hamburgut, Bastian Rainhardt, e gjykoi si të pamjafueshme ofertën e bardhezinjve: “Nga Torino na kanë nisur një ofertë prej 12 milionë eurosh, por nuk është shumë serioze. Nëse shesim Elian, kemi nevojë për një kapital të tillë, që të blejmë 2 ose 3 futbollistë.” Dhe kjo do të thotë: Hamburgu kërkon të paktën 18-20 milionë për lojtarin.