04 janar 2011

Të rejat e Futbollisteve Shqiptar

Zhdrella, futbollisti i vitit në Kosovë

Mesfushori i Hysit, Mentor Zhdrella do të zgjidhet futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin që e lamë pas, nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Gazeta Express ka mësuar se shumica e trajnerëve të Superligës kanë votuar për mesfushorin e Hysit, i cili epitetin e më të mirit në futbollin kosovar do ta fitojë për të dytën herë radhazi.
Shpallja e më të mirëve për vitin 2010 do të mbahet të enjten në Prishtinë, derisa gazeta Express ka mësuar se cili do të jetë futbollisti, trajneri, gjyqtari dhe klubi më i mirë i vitit që e lamë pas.
“Trajnerët e klubeve të Superligës, me votat e tyre, e kanë zgjedhur futbollist të vitit Mentor Zhdrellën. Ndërsa, pas tij, futbollisti i dytë i vitit është zgjedhur sulmuesi i Trepçës, Elvis Osmani”, ka thënë një burim brenda FFK-së.
Sipas këtij burimi, klubi më i suksesshëm kosovar për vitin 2010 do të shpallet Trepça, e cila pas 17 vitesh u shpall kampion i Kosovës dhe rrëmbeu Superkupën shtetërore.
I njëjti burim ka treguar se Gani Sejdiut do t’i takojë epiteti i trajnerit më të suksesshëm kosovar për vitin që lamë pas.
“Në ato suksese të Trepçës, një rol shumë kryesor e ka luajtur Gani Sejdiu, me të cilin trajner, Trepça në vitin e kaluar ishte i pakonkurrentë, duke i fituar dy trofe. Kështu, Gani Sejdiu do të shpallet trajneri më i mirë i Kosovës”, theksoi ai.
Gjithnjë sipas këtij burimi, gjyqtari më i mirë i vitit 2010 do të zgjidhet njëri prej referëve më autoritativ në vend, Përparim Hasani. “Kur janë nxjerrë notat mesatare të referëve për gjithë vitin 2010, Përparim Hasanit i ka dalë nota më e lartë, andaj ai do të zgjidhet sërish gjyqtari i vitit”, përfundoi ky burim.
Shpallja e këtyre laureatëve do të bëhet të enjten në një ceremoni të organizuar nga FFK-ja. Nënkryetari i këtij institucioni, Agim Ademi ka paralajmëruar se kjo ceremoni do të jetë madhështore, si asnjëherë më parë.
“Deri më tani, pjesëmarrjen në këtë ceremoni e kanë konfirmuar zyrtarë të Federatës së Futbollit të Turqisë dhe drejtues të klubit turk, Bursaspor. Po ashtu, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Federatës së Shqipërisë dhe Maqedonisë”, tha Ademi për Express, i cili i prinë Komisionit Organizativ të kësaj ceremonie.
“Të tjerët që i kemi ftuar akoma nuk na kanë konfirmuar pjesëmarrjen, për shkak të festave të fundvitit. Por, të martën sigurisht se do të marrim edhe konfirmime të tjera”, pohoi ai.
Ademi kujtoi se bashkë me kolegët e tjerë të tij të FFK-së tash e një kohë goxha të gjatë kanë punuar intensivisht për ta organizuar sa më mirë këtë ceremoni.

Synon Botërorin dhe Olimpiadën

Fatmire Bajramaj është model për sukseset në sport. Futbollistja kosovare ka fituar pothuajse gjithçka mund të fitojë një futbolliste.
Mirëpo, futbollistja e Turbine Potsdamit dhe e përfaqësueses gjermane nuk ngopet me kaq. Ajo synon që në të ardhmen të fitojë ende trofe.
“Titulli i botës është ëndrra ime më e madhe. Mirëpo, unë dëshiroj ta fitoj edhe Olimpiadën 2012 dhe në vitin 2013 sërish Kampionatin Evropian”, theksoi 22-vjeçarja në një intervistë për uebfaqen tagesspiegel.de.
Futbollistja nga Istogu tregon se ka kujtime mjaft të mira nga Kosova, të cilën e konsideron si shtëpi të veten. Bajramaj thotë se është një myslimane moderne dhe se lutet rregullisht, pasi këtë e konsideron të rëndësishme.
Mirëpo, ajo nuk i lë anash ndejat dhe alkoolin, të cilat i konsideron gjëra normale. Bajramaj pati një vit të jashtëzakonshëm. Ajo është futur në rrethin e ngushtë të futbollisteve kandidate për ta fituar çmimin ‘Topi i Artë’.

Osnabruck prezanton Kastratin

Skuadra nga Bundesliga 2 gjermane, VfL Osnabruck të hënën e ka prezantuar edhe zyrtarisht përforcimin më të ri, futbollistin kosovar Flamur Kastrati.
Sulmuesi 19 vjeç arrin në Gjermani si huazim deri në fund të sezonit, nga klubi holandez, Twente, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2012.

Lala nuk dorëzohet

Altin Lala nuk e ka ndërmend të pensionohet nga futbolli. Mesfushori shqiptar ka kontratë me Hannoverin deri në qershor të këtij viti, por në një intervistë për uebfaqen neuepresse.de, thotë se, nëse klubi ka nevojë për të, do të luante edhe një vit.
Përfaqësuesi shqiptar është rikthyer nga lëndimi që e la jashtë për një kohë të gjatë.
Ai konsiderohet si ‘patroni’ i ekipit, pasi kaloi plot 13 vjet në klubin kuqezi. Sipas Lalës, bashkëpunimi dhe respekti në mes të lojtarëve, ka bërë që këtë sezon Hannover të ketë paraqitje dinjitoze në Bundesligë.
“Do t’i jap vetes kohë deri në muajin mars, që të shoh se ku gjendem. Sidoqoftë, unë ndiej se mund të luaj edhe një vit dhe këtë do të dëshiroja ta bëj pikërisht në Hannover. Do të bisedoj me presidentin për këtë”, tha Lala, i cili planifikon të mbetet në Hannover, edhe pasi ta përfundojë karrierën. Ai nuk dëshiron ta mbulojë një punë simbolike, por një vend ku ka sens dhe rëndësi.
Hannover e mbylli pjesën e parë të sezonit në pozitën e katërt, me 31 pikë. Kjo pozitë çon në Evropë, nëse ky ekip di ta mbajë ritmin edhe në pranverë. Edhe Lala beson në një gjë të tillë.
“Jemi në një pozitë shumë të mirë. Ne kemi një aeroport të madh, ku mund të zbarkojë çdokush. Ndoshta është herët të flasim por, pse të mos luajmë edhe ne në Evropë? Bremen dhe Wolfsburg janë qytete më të vogla se Hannoveri. Kështu që, një gjë të tillë mund ta bëjmë edhe ne”, shtoi ai.
Lala kujton se, po ta kishte mundësinë të zgjidhte, në të kaluarën do të luante në Hamburg ose në Borussia Dortmund, dy vende këto me atmosferë të mirë nëpër stadiume.
Edhe pse njerëzit e krahasojnë lojën e Hannoverit me atë të Barcelonës, Lala nuk ka dëshirë të bëhen kësi lloj krahasimesh, pasi që klubin katalunas e quan ‘të një bote tjetër’.
“Nuk mund të bëhen krahasime me Barcelonën. Ky ekip është si asnjë tjetër, bën një lojë të pabesueshme. Ky është futbolli i një bote tjetër. E shikoj këtë ekip dhe mendoj se do të isha i lumtur po të isha shofer i autobusit të Barcelonës”, përfundoi Lala.

Hetemaj synon Serinë A

Mehmet Hetemaj shpreson që ta ndjekë rrugën e vëllait të tij, Përparimit, për të luajtur në elitën e futbollit italian.
Mesfushori kosovar aktualisht luan në ekipin nga Serie B, AlbinoLeffe, të cilit iu bashkua nga Panionios i Greqisë, por ai ndihet i gatshëm që të luajë në Serie A.
“Po, është një objektiv real, e pres si sfidë Serinë A. Planifikoj që në Serie B të luaj tre vjet, e më pas të spostohem në elitën e futbollit italian. Jam zhvilluar si futbollist dhe do ta kërkoj rastin në një kategori më të lartë garash”, theksoi Hetemaj për uebfaqen finlandeze, iltasanomat.fi.
Vitin e kaluar flitej për një interesim të Lecces për shërbimet e Hetemajt, por më pas nuk kishte asgjë konkrete. Ai mendon se paraqitjet e vëllait të tij, mund ta ndihmojnë që ta bëjë këtë hap.
“Fakti se vëllai im po luan mirë në Serie A, mund të hapen dyert edhe për mua. Shumë njerëz mund të mendojnë: nëse njëri vëlla mund t’u mbijetojë sfidave në Serie A, pse tjetri nuk mundet”, vazhdoi 23-vjeçari.

Skela, alternativë e Kolnit

FC Koln është në kërkim të një mesfushori ofanziv, pasi në këtë repart nuk i pati punët si duhet gjatë pjesës së parë të sezonit.
Si objektiv primar i klubit gjerman është mesfushori i Borussia Dortmundit, Tamas Hajnal, por transferimi i tij duket i vështirë.
Si alternativë të Hajnalit, udhëheqësit e Këlnit kanë Takashi Iniun nga ekipi Gamba Osaka dhe mesfushorin shqiptar, Ervin Skela, i cili aktualisht është pa klub, shkruan uebfaqja gjermane, Express.de.
Nga 18 golat e shënuara gjatë vjeshtës, Milivoje Novakovi ka realizuar 5 gola, ndërsa 3 të tjera i ka përgatitur.
Sulmuesi kryesor i skuadrës, Lucas Podolski ka shënuar katër herë, ndërsa ka asistuar në 6 të tjerë. Mirëpo, përfaqësuesi gjerman është futbollisti që e ka ngritur zërin dhe kërkon një mesfushor ofanziv, i cili do ta udhëhiqte lojën në pranverë.
Dhe, pikërisht përfaqësuesi shqiptar, për të cilin flitej se mund t’i bashkohej Eintracht Frankfurtit, mund të jetë ai që do ta mbushë pozitën bosh. Aktualisht, Koln zë pozitën e 16-të në Bundesligë, me 15 pikë të grumbulluara.
Kjo pozitë nuk ia mundëson mbijetesën, në fund të sezonit. Për këtë, udhëheqësit e klubit janë duke lëvizur, për t’i ikur më të keqes – rënies nga Bundesliga.

Romakët nuk e duan Behramin

Largimi i Valon Behramit nga West Ham Unitedi është vetëm çështje kohe. Dhe me gjasë, destinacioni i radhës për mesfushorin kosovar pritet të jetë Roma.
Mirëpo, në mes gjithë kësaj qëndron një problem. Në fakt, tifozët e klubit Giallorossi janë kundër këtij transferimi. Ata e kanë konfirmuar qëndrimin e tyre gjatë miqësores që e zhvilloi Roma kundër ekipit Atletico Roma.
Një grup tifozësh, gjatë ndeshjes kanë lansuar kore dhe parulla për ta kontestuar klubin rreth transferimit eventual të ish-futbollistit të Lazios, armik i përhershëm i klubit të tyre të zemrës. “Ne Behramin nuk e duam”, thërrisnin tifozët romakë.
Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se 25-vjeçari pritet të transferohet në Romë në ditët në vazhdim. Interesimin e klubit nga kryeqyteti italian për mitrovicasin e ka konfirmuar zyrtarisht edhe drejtori sportiv i Romës, Daniele Prade.
“Behrami na pëlqen shumë, por ende nuk e kemi formuluar ofertën për West Ham Unitedin”, tha Prade, i cili shumë shpejt do të takohet me menaxherin e Behramit, Alessandro Beltrami, për të arritur marrëveshjen.
Edhe pse luan në të njëjtën pozitë, mesfushori Rodrigo Taddei nuk ndien aspak xhelozi, rreth transferimit të mundshëm të Behramit. Madje, ai e mirëpret ish futbollistit të Veronës. “Do të jetë i mirëseardhur. Grupi ynë është fantastik, sa më shumë që jemi, aq më mirë”, tha futbollisti brazilian.
Trajneri Claudio Ranieri e ka dhënë dritën e gjelbër për transferimin e Behramit, i cili do të mund të luante si mbrojtës i djathtë, në vend të Cassettit ose si mesfushor i djathtë, në vend të Taddeit.
Gjithnjë sipas mediave italiane, Roma planifikon t’ia propozojë Behramit një kontratë trevjeçare prej 1.5 milion eurosh në vit. Menaxheri i futbollistit, Beltrami, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kalimit në Romë të asistuesit të tij.
“Roma? Nuk i dihet. Ky ekip së pari ka objektiv shitjen e disa futbollistëve. West Hamit mund t’i interesojnë disa lojtarë të Romës, të shohim”, tha Beltrami, duke iu referuar një shkëmbimi të mundshëm të futbollistëve të të dyja ekipeve.
Nuk përjashtohet mundësia e huazimit të Behramit në Romë, me mundësi transferimi definitiv gjatë verës.

Behrami, ëndërr për Cesenën

Derisa ëndërr e Behramit mbetet Roma, Behrami është ëndërr e Cesenës. Klubi italian e kërkoi përfaqësuesin zviceran gjatë verës, por ky i fundit e refuzoi ofertën e klubit të rikthyer në Serie A.
Tash, ekipi në të cilin luan Erjon Bogdani do të tentojë sërish për futbollistin e krahut. “Behrami do të ishte një ëndërr për ne. Në këtë moment, ne duhet ta shfrytëzojmë raportin në mes tij dhe trajnerit tonë”, tha drejtori sportiv i Cesenës, Lorenzo Minotti.