18 janar 2011

Seria A “zien” në merkato: zyrtarizime dhe negociata

Merkato e “nxehtë” në kampionatin italian: më pak se dy javë nga fundi, kanë mbërritur goditjet e radhës, ndërkohë që të tjera transferta mund të zyrtarizohen në ditët e ardhshme.

Përmes një komunikate zyrtare në faqen e internetit, Udineze ka bërë të ditur shitjen e sulmuesit Floro Flores te Xhenoa. “Udineze bën me dije se ka shitur në formë të përkohshme (deri më 30 qershor 2011), me të drejtë rimarrjeje, sulmuesin Antonio Floro Flores te klubi i Xhenoas”, lexohet mes të tjerash në faqen e internetit “udinese.it”.

Zyrtar edhe transferimi i Xhuzepe Skulit nga Xhenoa te Lacio. Futbollisti më i ri i kryeqytetasve nënshkroi një marrëveshje deri në vitin 2015 dhe do të mbajë në fanellë numrin 77. Skuli lëshoi sot deklaratën e parë si lacial: “Jam i kënaqur që jam lojtar i Lacios. Nuk e di nëse do të luaj nesër në derbin ndaj Romës, por do të më pëlqente. Tani do të shkoj të stërvitem”.

Ndërkohë, fare pranë zyrtarizimit është edhe transferimi i mesfushorit Laxari nga Kaljari te Milani. Klubi kuqezi ka arritur akordin me lojtarin dhe tashmë mbetet vetëm pranimi nga ana e klubit sard. Kryesuesit e Serisë A janë në kërkim edhe të një mbrojtësi. Emrat që përmenden janë Krishito i Xhenoas dhe Ziegler i Sampdorias. Mediat italiane raportojnë se në Milanelo po mendojnë edhe për një shkëmbim të mundshëm kokë më kokë mes Patos dhe Balotelit në merkaton e qershorit.

Dje Udineze i ka dhënë Interit “jo-në” përfundimtare për sulmuesin Aleksis Sançes. Zikaltrit patën ofruar 18 milionë euro, francezin Biabiani dhe gjysmën e kartonit të të riut Obi, por klubi friulian nuk pranoi të heqë dorë nga kileni pa mbaruar sezoni. Operacioni mund të rinisë në verë, ku Interi pritet të ketë edhe konkurrencën e Çelsit.

Lëvizje edhe në kampin e Juventusit, ku vazhdojnë përpjekjet për një tjetër sulmues. Përfliten Luis Fabiano dhe Diego Forlan, por ende asgjë konkrete. Ndërkohë, portieri Storari ka shprehur dëshirën për t’u larguar, por drejtuesit duan ta mbajnë dhe janë gati të hyjnë në bisedime. Negociatat pritet të fillojnë në ditët e ardhshme edhe për rinovimin e kontratës së kapitenit Aleks Del Piero.