21 janar 2011

Seria A, 10 transferta pa tifozë

Dhjetë ndeshje në Serinë A do të luhen pa tifozë në transfertë. Ky është vendimi i marrë sot nga Komiteti i Analizës për Siguri në Manifestimet Sportive (CASMS).
Vendimi ka të bëjë me ndeshjet e kampionatit italian që do të luhen më 29-30 janar dhe 1-3 shkurt, në mesjavë.
Për javën e fundit të janarit do të luhen pa tifozët miq ndeshjet Katania-Milan dhe Lacio-Fiorentina (të shtunën, 29 janar), si dhe Bolonja-Roma e Napoli-Sampdoria (të dielën, 30 janar).

Kurse për javën e 23-të, takimet e ndaluara për tifozët udhëtues janë Milan-Lacio (të martën, 1 shkurt), Parma-Leçe, Fiorentina-Xhenoa, Roma-Breshia, Çezena-Katania dhe Kievo-Napoli, të gjitha të programuara për të mërkurën e 2 shkurtit.

Masa parandaluese CASMS ka dhënë edhe për çerekfinalen e Kupës së Italisë mes Juventusit dhe Romës që do të luhet të mërkurën e 27 janarit. Pa tifozët miq do të luhen edhe disa takime në Serinë B.