04 janar 2011

Aquilani kërkon fitore ndaj Parmës dhe Napolit

Juventusi do të vazhdojë garën për titullin e Serie A të enjten kundër Parmës, ndërsa tre ditë pas do të luajë kundër Napolit që mban pozitën e dytë, ashtu që mesfushori Alberto Aquilani mendon se këto do të jenë ndeshje vendimtare për ekipin e tij.

Shumica mendojnë se ndeshja kundër Napolit është më e rëndësishmja, por Aquilani thotë se e të njëjtës rëndësie është edhe ajo kundër Parmës.

“Barazimi i fundit (kundër Chievos) la një shije të hidhur te ne. Tash duhet të fillojmë fuqishëm kundër Parmës, një kundërshtar i cili ka disa lojtarë kualitativë”.

“Ndeshja e të enjtes ndaj Parmës është e rëndësishme dhe nuk mund të anashkalohet, ndërsa më pas do të mendojmë për Napolin”.

“Të gjithë e dimë se kjo është një javë e rëndësishme, e cila do të na ndihmojë të kuptojmë se kush jemi dhe çfarë mund të arrijmë”, ka thënë Aquilani për Juventus Channel.