24 dhjetor 2009

Vocërraku i Madh - Lionel Messi

Tabloidi gjerman Bild ka siguruar fotografinë e ekipit të të rinjve të Rosarios, e cila është bërë në vitin 1991 në Argjentinë. Futbollisti më i vogël në foto, i dyti në këmbë nga ana e djathtë, sot është futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi. Në këtë fotografi ai ka qenë vetëm 4 vjeçar.
Trajneri i tij i parë, Ricardo Aparicio, shumë shpejt ka vërejtur talentin e jashtëzakonshëm të Messit dhe e ka dërguar pas disa vitesh te ekipi nga liga e dytë Newell's Old Boys.
Atje Messi vazhdoi të zhvillohet si futbollist, por jo edhe fizikisht. Pasi babai i tij, një punëtor në industrinë e metalit, nuk ka mundur të përfitojë mjaft të holla për shërimin e Messit, që vuante nga një sëmundje e hormonit të rritjes, në vitin 2000 e tërë familja Messi me Lionelin 13 vjeçar dhe të gjatë vetëm 140 centimetra, u shpërngul në Barcelonë.
Që nga ajo kohë, gjiganti katalunas Barcelona mori përsipër mbulimin e shpenzimeve të shërimit të Messit. Çdo ditë për 4 vjet, Messi ka marrë injeksione për rritjen e hormoneve në të dy këmbët.
Sot Messi, me gjithë faktin që është vetëm 169 centimetra, është futbollisti më i mirë në botë. Çdo vit ai përfiton 12 milionë euro, ndërsa të gjitha investimet janë shpaguar si për Messin ashtu edhe Barcelonën. Djaloshi i vocërr nga fotografia sot është gjigant i futbollit.