24 dhjetor 2009

Pandev: Tare di vetëm të firmosë gjoba

Kolegji i Arbitrazhit në Ligën Italiane të Futbollit ka pranuar kërkesën e Goran Pandev, për të prishur në mënyrë të njëanshme kontratën me Lacion. Pasi fitoi "lirinë", sulmuesi maqedonas i klubit të Serisë A nuk i kurseu akuzat ndaj presidentit të bardhekaltërve, Klaudio Lotito dhe ndaj drejtorit sportiv të klubit, Igli Tare. "Fakti që fitova të drejtën për të prishur kontratën me Lacion nënkupton fundin e një makthi. Më vjen keq për skuadrën dhe për tifozët. Lotito dhe mbi të gjitha Tare, i cili nuk di asgjë tjetër veçse të vendosë gjoba, nuk e meritojnë të drejtojnë një klub prestigjioz si ky. Ata më trajtuan në mënyrë të turpshme, pavarësisht faktit se kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, duke luajtur edhe i dëmtuar ose me gjilpëra", deklaroi Pandev. Për sulmuesin, ky vendim përkthehet ndryshe edhe si përfundimi i konfliktit me klubin, i cili filloi pesë muaj më parë: gjatë verës, 26-vjeçari nuk pranoi të rinovonte kontratën që klubi i ofroi, ndërsa drejtuesit u hakmorën duke e lënë jashtë skuadrës.