24 dhjetor 2009

Portieri urinon në fushë

Pas portierit gjerman Jens Lehmann, edhe Paolo Gottard, portier i ekipit nga Zelanda e Re, Auckland, e ka kryer nevojën fiziologjike në fushë.
Ai e bëri këtë në 16 metërshin e tij, duke u ulur në dy gjunjët për të mos u vërejtur. Bashkëlojtarët e tij po mendonin ta ndërtonin aksionin e radhës dhe as që e kishin idenë se çka po ngjante prapa tyre. Gottard e shfrytëzoi këtë rast dhe, duke menduar se përqendrimi i të gjithëve ishte tek aksioni, e nisi “punën”.
Por, ky gjest nuk i shpëtoi syrit të kamerave nga Zelanda e Re. “Ai e bën nevojën e vogël në mes të zonës së tij të rreptësisë”, shkruanin mediet zelandeze të mërkurën. A mos ndoshta i kishte harruar kamerat përreth? Vështirë.
Ndoshta Gottard deshi t’i trembte kundërshtarët e tij në gjashtëmbëdhjetë metërshin e tij. Megjithatë, ai duket se pati sukses, pasi që ekipi i tij u kualifikua në fazën finale të ndeshjeve në Zelandën e Re, pasi fitoi me rezultat 3:2.