02 dhjetor 2009

Vllaznia, nga e akuzuar në akuzuese

Futbollistët, stafi teknik dhe presidenca janë akuzuar nga tifozët, ndërsa klubi akuzon gjyqtarët
Ndodhitë e së dielës në ndeshjen me Besën ende nuk kanë kaluar në kampin shkodran. Të gjithë janë të zhgënjyer me pikët e lëna. Nga njëra anë, tifozët akuzojnë futbollistët për papërgjegjshmëri në administrimin e rezultatit dhe paraqitjen e tyre në fushë. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit dhe ato të skuadrës janë tepër të indinjuar me arbitrimin e ndeshjes.
Dje dy drejtuesit e lartë të klubit, sekretari Agim medja dhe drejtori organizativ Kujtim Shaba kanë qenë në federatë për të paraqitur zyrtarisht ankesën e Vllaznisë në lidhje me gjyqtarët. Ata ia faturojnë humbjen pikërisht Lorenc Jeminit, i cili më së paku duhej ta kishte mbyllur ndeshjen në barazim, ndonëse më parë toleroi jo pak edhe në golin e parë të kavajasve dhe mosdhënien e një kartoni të kuq për Hasallën.
Edhe trajneri Roland Luçi është shfaqur dje shumë i mërzitur në lidhje me gjykimin e ndeshjes. “Nuk e di se çfarë po ndodh me ne. Ka disa ndeshje që bëhemi viktima të gjyqtarëve. Nuk kishte asnjë logjikë loje që ndeshja të shtyhej 9 minuta.
Jo se ai deshi të na favorizonte ne, por më duket se gjërat u bënë kundër Vllaznisë, sepse skuadra pësoi një “shock” psikologjik pas pësimit të golit të dytë dhe sigurisht e kishte të vështirë të reagonte. Unë si trajner kam bërtitur fort në adresë të kapitenit të skuadrës dhe futbollistëve të tjerë që në momentin e ekzekutimit të goditjes së dënimit, që solli golin e tretë të Besës, të mos lejonin ekzekutimin e saj.
Duhej të ishin mbledhur të 11 futbollistët pranë topit dhe të mos lejonin goditjen e tij. Edhe nëse do të ishin ndëshkuar me karton të verdhë apo të kuq, nuk do të ishte ndonjë problem i madh. Mjafton që të mos qëndronim në dorën e atij gjyqtari,” ‑ ka thënë Luçi. Nga ana tjetër, tekniku i Vllaznisë e pranon që skuadra e tij pati gabimet e veta në lëshimin e lojës në minutat e fundit të ndeshjes. “E kam të qartë se nuk duhej të ndodhte ashtu. Nuk kishte pse të tërhiqeshim, por duhej ta mbanim ne topin sa më shumë.
U mundova nga stoli të orientoja futbollistët të vepronin kështu, por ata vetvetiu u tërhoqën duke menduar se ndeshja mbaroi. Na ka ndodhur edhe në Korçë kjo gjë dhe ajo çfarë konstatoj unë se ky ekip në vite nuk ka ditur të luajë ashpër. Shumëkush mendon se futbollistët nuk duhej të ishin treguar aq pasiv në fushë ato minuta. Vllaznia nuk di të luajë ashpër, përkundrazi, është shumë tolerante ndaj kundërshtarit dhe ky është një defekt i madh për të,” ‑ shton ai.
Tashmë gjërat janë vështirësuar së tepërmi. Kur mendohej fitorja me Besën dhe ngjitja në renditje, nuk ka ndodhur kështu dhe prandaj punët nuk janë aspak mirë. Aq më tepër që këtë javë, shkodranët do të udhëtojnë për në Fier, ku i pret një ndeshje shumë e vështirë. Luçi, megjithatë, ka besim se skuadra e tij do të shprehet mirë në fushë, por kjo mbetet për t’u parë. Tifozët kuqeblu janë shumë të pakënaqur me ecurinë e skuadrës së tyre dhe nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh.
Shkodranët, zyrtarisht në FSHF për gjykimet
E kishte paralajmëruar presidenti Fushaj dy ditë më parë dhe ashtu ka ndodhur. Klubi “Vllaznia” dje ka depozituar në FSHF një ankesë zyrtare në lidhje me gjykimet e njëanshme ndaj saj. Sekretari i klubit, Agim Medja, dhe drejtori organizativ, Kujtim Shaba, kanë qenë në këtë institucion, ku kanë depozituar ankesën përkatëse. Shkodranët kanë disa javë që ankohen për “bluzat e zeza”, megjithatë ndaj tyre vazhdojnë gjykimet e njëanshme.
Vetë presidenti Fushaj ka pasur takim me atë të federatës, Duka, dhe ka marrë prej tij para disa ditësh garancinë për gjykime të ndershme, por problemet po vazhdojnë. Në këtë kuadër, shkodranët kanë depozituar një tjetër ankesë dhe presin që komisionet e federatës të marrin masat e duhura ndaj gjyqtarëve që abuzojnë me detyrën e tyre. Drejtuesit kuqeblu pretendojnë se të paktën 7‑8 pikë u janë hequr atyre nga gjykimet arbitrare.